Kryesia e PD: Partia shkon në zgjedhje më 13 qershor, do të zgjidhet kryetari i ri

Kryesia e Partisë Demokratike, pas tri orë mbledhjeje sot, ka marrë vendim që më 13 qershor të mbahen zgjedhjet e reja për kreun e kësaj partie.

Gjatë mbledhjes ë kryesisë, mësohet se Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, formuloi dy propozime, që do i paraqiten pas pak Këshillit Kombëtar.

Propozimi i parë është analiza e punës së secilit në një mbledhje të veçantë në kryesi. I dyti ka të bëj me fillimin e procesit zgjedhor për kryetar i PD. Secili prej anëtarëve të kryesisë që ka shpallur ambicien të ketë mundësinë ta shpjegojë vizionin tij në institucione, “pa paragjykuar askënd, një garë e drejtë dhe e barabartë, ku demokratët të gjykojnë lidershipin aktual”.

Sipas burimeve të televizionit A2, anëtarët e Komisionit Zgjedhor të propozuar nga kryesia e PD janë Jemin Gjana në rolin e kryetarit, Albana Vokshi, Belind Kelliçi, Eno Bozdo, Mimoza Hasekiu, Albert Avduli dhe Gjokë Vuksani si anëtarë dhe Ervin Minarolli dhe Lulzim Omuri si ndihmës.

Fatbardh Kadilli i cili tashmë ka shpallur hapur kandidaturën për kreun e PD, brenda mbledhjes ka mbajtur të njëjtin qëndrim, ashtu siç e bëri me dije dhe në nisje të saj për mediat për largimin e kreut të PD.

Kadilli ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj Bashës duke i thënë se ai tashmë nuk mund të sjellë më asgjë të re, ndërsa i tha se ai është humbës i përsëritur prej defekteve personale.

Sipas Kadillit, Basha mbeti peng i lobimeve private dhe nuk pati asnjëherë një qasje solide dhe strategjike.

“Mos u fshih pas mbështetjes që kërkon lart e poshtë në Parti. Edhe Berisha kishte mbështetje absolute në parti, por kishte realizmin të ikte.”, i ka thënë ai.

Në një kohë që Bashës i kërkohet dorëheqja , ai tha “se nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë.”

Basha përsëriti deklaratën e tij të mëhershme se “25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizmit”.

“Në këtë parti ka vend për të gjithë, ka vend për idetë e gjithsecilit mbi mënyrën se si duhet çuar përpara beteja me regjimin Rama-Doshi. Megjithatë, kam bindjen dhe ndjesinë e fortë se nuk mund të kemi vizione të ndryshme mbi 25 prillin. Sepse nëse zgjedhjet e 25 prillit janë një episod që do të mbulohet nga turpi në historinë e pluralizmit, nëse e kemi të qartë se 25 prilli ishte masakra më e madhe zgjedhore në historinë e pluralizmit, atëherë nuk mund të pranojmë që gishti duhet drejtuar në këtë sallë, përpara se ta drejtojmë te kundërshtari që kemi përballë. Unë jam i bindur në drejtësinë e betejës tonë. E di se si unë ndihet shumica dërmuese e demokratëve, e ndjej zemërimin e tyre për masakrën zgjedhore të 25 prillit, e di që ata janë gati që këtë zemërim ta kthejnë në energjinë e nevojshme për ta luftuar betejën tonë deri në fitore. Prandaj ju kërkoj të vazhdojmë rrugën që kemi nisur. Të bashkuar në këtë moment përcaktues për të ardhmen e betejës tonë dhe për fatet e vendit dhe të përmirësojmë, bashkërisht, ato gjëra që sigurisht mund dhe duhet të përmirësojmë”, ka thënë ndër tjera kreu demokrat.