Kryetari Bahtiri tregon çka e shkaktoj djegien e shkollës, ka një lajm të mirë për nxënësit (Foto)

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka treguar se për shuarjen e zjarrit në shkollën “Musa Hoti” përveç zjarrfikësve të Mitrovicës, janë angazhuar edhe zjarrfikësit e Vushtrrisë, Mitrovicës së veriut, Skenderajt, FSK-ja dhe Policia e Kosovës.

Bahtiri, i cili akoma po qëndron në vendin e ngjarjes, ka konfirmuar informacionin se shkolla është djegur si pasojë e një zjarri që ka shpërthyer në një shtëpi afër shkollës, shkruan Veriu.info.

Ja postimi i plotë i Agim Bahtirit në Facebook:

Fatkeqësisht sot është djegur shkolla “Musa Hoti”, si pasojë e zjarrit që ka shpërthyer pas djegies së një shtëpie pranë saj. Edhe në këto momente zjarrfikësit janë në vendin e ngjarjes, duke bërë të pamundurën që ta shuajnë zjarrin.

Falënderoj zjarrfikësit e Mitrovicës, Vushtrrisë, Skenderajt, Mitrovicës së veriut, Policinë e Kosovës, FSK-në dhe ‘Unitetin’ për punën që po e bëjnë për fikjen e zjarrit, ku si rezultat i kësaj kanë shpëtuar disa shtëpi përreth pa u përfshirë nga zjarri. Fatmirësisht nuk ka të lënduar, përveç një pjesëtari të Policisë së Kosovës, që ka pësuar një lëndim.

Komuna e Mitrovicës prej nesër do të filloj punën intensive për ndërmarrjen e të gjitha veprimet të nevojshme, në mënyrë që nxënësit ta fillojnë mësimin me kohë.