Ku janë bllokuar VV’ja dhe LDK’ja për arritjen e marrëveshjes finale?

LVV-ja dhe LDK-ja janë duke i vazhduar diskutimet në kuadër të grupeve punuese, por krerët e këtyre dy subjekteve nuk janë takuar prej 10 tetorit. Deri tash palët janë dakorduar vetëm për zvogëlim të numrit të ministrive dhe për disa çështje ekonomike. Si rrjedhojë e kësaj vlerësohet se LVV-LDK-ja janë duke ecur ngadalë drejt harmonizimit të programit, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

LVV-ja dhe LDK-ja kanë zhvilluar katër takime prejse kanë përfunduar zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Takimi i parë është zhvilluar mes liderëve të partive, kurse tre të tjerët ndërmjet grupeve punuese të të dyja subjekteve.

Por palët deri më tash kanë rënë në ujdi vetëm për zvogëlimin e numrit të ministrive, si dhe për disa çështje ekonomike, rreth të cilave nuk janë dhënë hollësi.

Dakordimi për zvogëlim të numrit të dikastereve qeveritare është përsëritur thuajse pas secilit takim të zhvilluar mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Duke u nisur nga këto, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se palët janë duke ecur me hapa të ngadaltë sa i përket bashkërendimit të qëndrimeve rreth programit qeverisës, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Këto dy subjekte, sipas tyre, paqartësitë më të mëdha vazhdojnë t’i kenë rreth procesit të dialogut me Serbinë.

Megjithëkëtë, zyrtarë të Vetëvendosjes dhe të LDK-së kanë thënë se deri tash i kanë bashkërenduar në mënyrë të konsiderueshme qëndrimet. Ata me këtë rast janë zotuar për formim të shpejtë të qeverisë së re.