Kurti: Kosova nuk do të jetë pjesë e “Open Ballkan”, Merkeli s’ma kërkoi këtë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas takimit që pati me kancelaren gjermane Angela Merkel tha se nuk i është kërkuar nga ajo që të bashkohet në nismën “Open Balkan”.

Ai tha se trysnia për këtë gjë duhet t’i bëhet Serbisë dhe jo Kosovës meqë është ajo që s’e njeh pavarësinë e Kosovës dhe i mohon krimet që ndodhën.

Për këtë çështje ai u pyet nga gazetarët për marrëdhëniet që ka me homologun e tij shqiptar Edi Rama dhe tha se në këtë pikë s’pajtohen.

“Do të kemi takim mes dy qeverive, të Kosovës dhe Shqipërisë dhe e vetmja arsye pse e kemi takimin e parë me Maqedoninë e Veriut është për shkak se nuk është formuar ende qeveria shqiptare.

Posa të formohet do të fillojmë për takimin e dy qeverive, sepse kemi panumër gjëra që na afrojnë dhe na bashkojnë, por pyetjet bëhen për të vetmen që na ndan”.

“Merkel nuk më ka kërkuar. Qeveria e Kosovës është qeveri e një shteti sovran. Ne i përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar pasivisht dhe natyrisht që çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet duhet të jetë në interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Republikës së Kosovës me një Serbi që mohon krimet dhe s’e njeh pavarësinë që të bëhemi bashkë dhe të vendoset me shumicë votash. Për raporte normale në Ballkanin Perëndimor s’duhet të ndryshojë Kosova, por Serbia. S’bën që trysnia të jetë mbi Kosovën, por mbi Serbinë. Bëjnë gabim ata që mundohen ta ndërtojnë trysninë mbi Kosovën. Trysnia duhet të jetë mbi Serbinë dhe besoj që kjo duhet të jetë detyrë e secilit shqiptar”.