Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se Partia Demokratike e Kosovës “ende dominon në administratën publike”.
Ai në një tubim me mërgimtarë në Oslo të Norvegjisë të dielën, iu foli atyre për ndryshimet në udhëheqjen e PDK-së dhe për arsyet, që sipas tij, e bënë atë të mos i dërgojë ftesë kësaj partie për koalicionin qeverisës, sikur LDK-së.
“Nuk e kemi konsideruar të udhës një letër të tillë për PDK-në. Në PDK duhet të ndodhin reforma. Me thënë të drejtën, nuk kanë ndodhur reforma. Aty po ndodh ndërrimi i fytyrës së kryetarit, po gjithmonë kryetar është dikush që s’është kryetar”, tha ai.
Kurti e përshkroi kryetarin e ri të PDK-së, Bedri Hamzën si destruktiv, të cilin e uroi në Facebook kur e mori drejtimin e partisë, duke shkruar se “proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjelltë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë”.
“Edhe po, është e vërtetë që kryetari i ri i PDK-së tha nuk kam vija të kuqe. Por kur na ftoi presidentja ta diskutojmë një seancë të fundit para se me e shpërnda Kuvendin, edhe na tha kështu: Hajde, shkojmë në Kuvendin e Republikës ta votojmë buxhetin për tri komuna, Prishtinë, Gjilan, Zubin Potok, ta votojmë buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës, t’i votojmë tri marrëveshjet ndërkombëtare me Bankën Botërore, ta votojmë Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian dhe ka kërkuar prej meje që me heq dorë prej votimit të buxhetit 2026, që është pika që e kam më së shumti për qejf, se është buxhet 4 miliardë, , i pari prej opozitës që doli dhe tha jo ke kryetari i ri i PDK-së. Prandaj po them, a di, a e kuptoni?”, tha Kurti.
Ai tha se nuk ka ndryshim.
“Se tashti mundesh me e ndërru emrin e një njeriut dhe fytyrën e personit, por nëse qëndrimet janë identike, nuk po ndryshon situata”, tha ai.













