Kurti shpalos detaje për emërimin e ambasadorëve, zbulon se a do të jenë të karrierës apo politik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se emërimi i ambasadorëve të rinj do të bëhet shumë shpejt, ndërsa synohet të ketë kuotën 70 me 30 sa i përket asaj se a do të jenë diplomat të karrierës apo politik.

Këto detaje Kurti i ka dhënë në seancën e sotme të Kuvendi të Kosovës, si përgjigje ndaj deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.

“MPJD sikurse edhe krejt Qeveria, është në periduhën e reformimit të brendshëm.

Jemi në fazën e identifikimit dhe vlerësimit të përmbushjes së kritereve nga ana e diplomatëve të karrierës. Deri më tani 43 diplomatë karriere janë kandidatë potencialë për udhëheqës të misioneve diplomatike”, tha Kurti.

Ai ka konfirmuar se do të ketë ambasador të emëruar me çelës politik, “por jo siç ka qenë deri më tani”.

“Tash këta ambasadorë a do të jenë të karrierës apo politikë, ne jemi duke ndryshuar ligjin i cili shkon më kuotën 70 dhe 30, jo siç ishte 50 – 50.

Do të ketë edhe politikë, por jo as për së afërmi siç ishte deri më tani”, tha ai.Ndërkohë, vlen të përmendet se në muajin maj u shkarkuan 13 ambasadorë të Kosovës nëpër vende të ndryshme.

Shumë prej qendrave evropiane ku Kosova ka ambasada, kanë mbetur pa udhëheqës.