Kurti tregon se kur do të takohet me Thaçin

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Thaçi nuk e ka uruar pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e 6 tetorit.

“Jo nuk më ka uruar publikisht. Përveç që nuk ka uruar publikisht, as në mënyrë indirekte sepse kemi shoqëri të ndryshme të njerëzve”, ka deklaruar Kurti.

I pyetur rreth takimit me Thaçin, kreu i VV-së ka thënë se do të takohen posa të certifikohen zgjedhjet.

“Jam i vetëdijshëm që duhet të takohem me të, që të ma jep mandatin për qeverinë e re. Unë do t’i kem 15 ditë për këtë punë.

Por pres që pas certifikimit të rezultateve të takohem me të, ta zyrtarizojmë obligimin kushtetues të tij për të ma dhënë mandatin si kryeministër për qeverinë e re”, ka deklaruar Kurti në Report TV.

Kurti më tej ka thënë se Thaçin nuk do ta përjashton nga politika e jashtme, por ai më nuk mund të jetë udhëheqës i saj.

“Është evidente që unë nuk dua ta përjashtoi nga politika, por as ai nuk do të mund ta krijoi as ta udhëheq politikën e jashtme.

Ai është zgjedhur president në vitin e largët 2016-të, i ka ngelur edhe një vit mandat dhe mirë do të ishte mos ta shfrytëzonte deri në fund”, ka deklaruar Kurti.