Ky është fshati i Kosovës ku Policia e Kosovës e ka të ndaluar të hyjë!

Ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi ka thënë para deputetëve se Policia e Kosovës e ka të ndaluar të kalojë nëpër fshatrat Karaçevë e Poshtme dhe Epërme me një urdhëresë të KFOR-it, ngase kjo është nën përgjegjësi të tyre.

Në kohën e pyetjeve parlamentare, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pyeti ministrin e Brendshëm, Bejtush Gashin për shqetësimet e banorëve të fshatit Karaçevë, për futjen e policisë serbe në territorin e Kosovës.

Ministri Gashi tha se kjo çështje mbetet ende e pazgjidhur dhe se Policia e Kosovës e ka të ndaluar të kalojë në atë pjesë me një urdhëresë të KFOR-it të vitit 2014.

“Përgjegjësia për mbikëqyrjen kufitare me Serbinë është nën mandatin e KFOR-it, që nuk e ka dorëzuar këtë mandat ende. KFOR mendon që pjesa e kontestuar mes fshatrave Novosellë dhe Karaçevë është nën juridiksionin serb, me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të Kumanovës të vitit ’99, të cilën KFOR e respekton”, tha ai, transmeton Kallxo.

Ministri tha se Policia e Kosovës është e pranishme në kufirin me Serbinë, por jo edhe në Karaçevë të Poshtme dhe Karaçevë të Epërme, pas urdhëresës e KFOR-it të datës 12 maj 2014 të lëshuar nga ish-komandanti Salvadore Farina. Gashi tha se këtë çështje do ta trajtojë me KFOR-in.