Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Aktakuza është ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu, i cili përgjatë procesit të hetimeve ka zbuluar edhe një rast të spiunazhit.
Prokurori Bekim Kodraliu ka hetuar njërin prej operacioneve më të mëdha kundër korrupsionit gjatë 2024-ës, ku ishin në pyetje 2.8 milionë euro nga buxheti i Kosovës.
Kodraliu po ashtu ka qenë prokuror special i rastit të grupit Gjuraj, të akuzuar për terorrizëm.
Në pikën 3 të aktakuzës, thuhet se i akuzuari Jovan Viqentijeviq nga data e pacaktuar e në vazhdimësi, e deri në momentin e arrestimit të tij, më 1 dhjetor 2024, i pandehuri në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Ushtarak të Serbisë, me gradën kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Këto informata, sipas aktakuzës, ka pasur për qëllim t’ua komunikojë Shërbimit informativ Ushtarak të Serbisë, përmes vizitave dhe takimeve që i ka realizuar në Serbi me zyrtarët e saj. Këto informacione dhe dokumente, thuhet se i ka siguruar nga aktiviteti i tij i spiunimit.
“Në kuadër te dokumentacioneve, që i pandehuri i ka siguruar gjatë veprimtarisë së tij inkriminuese, janë edhe një dokument i klasifikuar si konfidencial prej 66 faqesh i përpiluar nga KFOR-i, për nevojat e operacioneve të tyre në terren, pastaj ka bërë vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it, ka fotografuar bazën e Njësive Speciale Policore të Kosovës në Jasenovik që gjendet në Komunën e Zubin Potokut”, përshkruhet tutje në aktakuzë.
Gjithashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për shtetin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, Viqentijeviq përmes një dokumenti të modifikuar, ka tentuar ta paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar për Lirimin dhe Mbrojtjen e Trojeve Shqiptare“, duke e shoqëruar me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këto veprime, Prokuroria në aktakuzë vlerëson se tani i akuzuari seriozisht e ka dëmtuar rendin juridik dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar jetën e zyrtarëve dhe qytetarëve të saj, si dhe ushtarëve te KFOR-it.
Çka thotë tjetër aktakuza?
Sipas aktakuzës që ka parë Insajderi, më 29 nëntor 2024, të pandehurit dyshohet se kanë vendosur rreth 20 kilogram eksploziv ushtarak TNT në kanalin e Ujësjellësit “Ibër Lepenc”, në një pjesë kritike që furnizon me ujë të pijshëm qytetarët dhe KEK-un për prodhim të energjisë elektrike.
“Më datë 29.11.2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varaç, Komuna e Zubin Potokut, në pjesën e kanalit të NH “Ibër Lepenc” SH.A., infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) SH.A. për prodhimin e energjisë elektrike, të pandehurit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullësisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak…”, thuhet në aktakuzë.
Aty shpjegohet se personat e dyshuar përmes një çante të cilën e kanë lidhur me litar në një shtyllë betoni e kanë futur në brendësi të kanalit dhe e kanë aktivizuar përmes një filli zjarf-përçellës.
“…eksplozivin e kanë futur (rreth 20 kilogram të llojit Trinitrotoluene “TNT”) në brendësi të kanalit, përmes një çante të cilën e kishin lidhur me litar në një shtyllë betoni, duke e pozicionuar në atë mënyrë që të shkaktojë dëmtim serioz të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë dhe me energji elektrike, ku në atë rast të pandehurit përmes ndezjes së një filli zjarf-përçellës me ndezje të ngadalshme e kanë aktivizuar lëndën shpërthyese duke shkaktuar një shpërthim të fuqishëm që si pasojë është dëmtuar rëndë struktura e betonit e kanalit të NH “Ibër Lepenc” SH.A.; është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm për qytetarët e disa komunave veriore dhe qendrore të Kosovës; është penguar furnizimi me ujë për KEK-un, si dhe kanë rrezikuar edhe prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi; çka me këto veprime të pandehurit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës NH “Ibër Lepenc” SH.A, i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376,774.70 Euro.” thuhet tutje në aktakuzë.















