Shkeljet ligjore nga kompanitë e derivateve të naftës, nuk janë risi në Kosovë. Por për to shteti po vepron në mënyrë të butë, por jo duke zbatuar legjislacionin në fuqi në mënyrë rigoroze për t’i mbrojtur konsumatorët.
Veriu.info në muajin maj ka kërkuar qasje në disa procesverbale të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë që udhëhiqet nga ministrja Mimoza Kusari Lila, të hartuara për kompanitë e naftës, por të njëjtat edhe pas kalimit të afatit ligjor nuk na janë ofruar.
Në kërkesën e Veriu.info drejtuar Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë më 12 maj kemi kërkuar qasje në procesverbale dhe shkresa tjera përcjellëse, e drejt kjo që na garantohet me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.
Pas shtatë ditës, Xhemajl Jashari, U.D. Udhëheqës i Divizionit për Çështje Administrative në IQMT ka kërkuar afat shtesë prej 15 ditësh, ku më 2 qershor na ka njoftuar se dokumentet e kërkuara mund t’i tërheqim fizikisht për sot (9 qershor).
Gazetari i Veriu.info ka shkuar në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për t’i tërhequr dokumentet, por Xhemajl Jashari, U.D. Udhëheqës i Divizionit për Çështje Administrative në IQMT ka ofruar disa dokumente tjera që kjo ministri i ka dërguar për gjykatë, por nuk ka dhënë qasje në procesverbale dhe vendime të nxjerra në bazë të të gjeturave në procesverbale.
Pas kësaj situate të fshehjes së dokumentacionit nga Xhemajl Jashari, U.D. Udhëheqës i Divizionit për Çështje Administrative pa asnjë sqarim zyrtar, Veriu.info ka bërë ankesë në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, agjencion ky përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.

















