Lajm shumë i rëndësishëm nga Qendra e Numërimit të Rezultateve, ja çfarë po ndodh atje

Rinumërimit të 530 vendvotimeve në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) po i vjen fundi. Pothuaj të gjitha kutitë e këtyre vendvotimeve tashmë kanë përfunduar. Ndërkohë gjatë ditës së sotme pritet të fillojë edhe procesi i numërimit të votave me kusht si dhe i votave të personave me aftësi të kufizuara.

Sipas zyrtarëve të KQZ-së, kanë mbetur edhe 61 vendvotime për t’u numëruar dhe për t’u përmbyllur ky proces.

Kështu i tha Expressit, të mërkurën Valmir Elezi, zëdhënës në KQZ. Ai tha se sot gjatë ditës pritet të përfundojë ky proces.

“Janë rinumëruar votat e 469 vendvotimeve, ose rreth 87% e 530 vendvotimeve të parapara për rinumërim. Pra, kanë mbetur edhe 61 vendvotime për t’u rinumëruar votat plotësisht”, ka thënë Elezi.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pas përfundimit të rinumërimit të votave, pritet t’i hapet rrugë numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me aftësi të kufizuar.

E përmbyllja e procesit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Kosovë, që nënkupton shpalljen e rezultatit përfundimtar dhe certifikimin e tij, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mund të zgjasë afërsisht edhe dy javë të tjera.

Ndërkaq, sipas Institutit Demokratik të Kosovës, i cili në kuadër të koalicionit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, ka qenë i përfshirë në vëzhgimin e gjithë procesit, deri te shpallja e rezultatit final mund të zgjasë edhe një muaj.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor. Sipas rezultateve preliminare nga numërimi i votave të rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. /Express/