LAJMI I FUNDIT: Gjendet një laborator droge në Prishtinë dhe sekuestrohen 179 bimë narkotike

Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, ka udhëhequr sot një aksion bastisjeje në fshatin Prugoc të komunës së Prishtinës, ku në shtëpinë me qira të një të dyshuari është identifikuar një laborator i improvizuar për prodhimin e substancave narkotike dhe janë gjetur e sekuestruar 179 bimë narkotike të gjatësive të ndryshme të llojit kanabis.

Aksioni është kryer në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës.

Në këtë çështje penale organet e rendit kanë identifikuar një të dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati, derisa prokuroria në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për gjetjen e vendndodhjes së të dyshuarit dhe ndërmarrjes së veprimeve procedurale ndaj të njëjtit.​