Lluka: Edhe LDK’ja është pro ndërtimit të “Kosovës së Re”, s’do të ndalet projekti

>Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se edhe pas tërheqjes së Bankës Botërore nga financimi i termocentralit “Kosova e Re”, Qeveria është e vendosur ta realizojë projektin 1.3 miliard eurosh.

Lluka ka thënë në emisionin “Pressing”, në televizionin T7, se projekti për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill nuk do të ndalet kurrsesi.

Ai ka hedhur poshtë mundësinë që ky projekt të ndalet nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Llukës, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës është pro ndërtimit të “Kosovës së Re”.

Më herët, ekonomisti Hekuran Murati e ka vlerësuar si shumë të dëmshëm për Kosovën projektin për ndërtimin e termocentralit me thëngjill “Kosova e Re”.

Sipas tij, ky projekt është i dëmshëm jo vetëm për shkak të teknologjisë dhe ndotjes së mjedisit, por edhe për shkak të kushteve financiare për realizimin e tij.

Ky projekt, ka thënë Murati, “e bën shtetin e Kosovës, popullin e Kosovës, skllav për 20 vjetët e ardhshme”. /Express/