Luftimet në Lindjen e Mesme, Biden: Izraeli ka të drejtë të mbrohet

Sërish bomba, raketa, viktima e shkatërrim. Militantët e Hamasit hodhën dhjetëra raketa të tjera në drejtim të Izraelit, pasi ushtria e Tel Avivit vrau komandantë të lartë të lëvizjes ekstremiste, dhe rrëzoi një godinë shumëkatëshe në Gaza. Vitkimat janë të paktën 74, 67 prej të cilëve palestinezë dhe 7 izraelitë.

Kryeministri Benjamin Netanjahu i cilësoi si anarki ngarjet e ditëve të fundit.

“Ajo që po ndodh në qytete të Izraelit ditët e fundit është e patolerueshme. Kemi parë anarkistë arabë që djegin sinagoga, makina, sulmojnë policë dhe lëndojnë qytetarë të pafajshëm. Kjo nuk tolerohet. Është anarki.”, u shpreh ai.

Militantët në Gaza thanë se kishin lëshuar 130 raketa kundër Izraelit të mërkurën, në kundërpërgjigjie të një sulmi ajror që shkatërroi kullën e AlSharuk, ku gjendej edhe televizioni i Al Aqsa i drejtuar nga Hamas.

Në total, 1500 raketa janë hedhur nga Gaza qe prej përshkallëzimit të dhunës në fillim të kësaj jave. Autoritetet atje thonë se përpos 67 viktimave mbi 400 persona janë plagosur në sulme.

Presidenti amerikan Joe Biden ofroi mbështetjen për Izraelin.

“Zhvillova një bisedë me Netanjahun. Pritshmëria dhe shpresa ime është që luftimet të marrin fund. Por Izraeli ka të drejtë të mbrohet.”, deklaroi ai.

Edhe pse banorët në Gaza u paralajmëruan të evakuohen, viktimat civile mes të cilëve edhe fëmijë, nuk janë shmangur. 5 pjesëtarë të një famikje u vranë në një sulm ajror përfshirë dy vëllezër të vegjël. Manifestime të dhunshme po mbahen në zona të Izraelit me popullsi të përzierë, arabe dhe hebreje. Të paktën 374 persona u arrestuan dhe 36 efektivë u plagosën.