Malet e Rugovës në flakë që dy ditë/ Policia me apel: Nga një cigare në këto temperatura mund ta pësojmë si në Turqi

Pas Turqisë e Shqipërisë, zjarret kanë përfshirë edhe Kosovën. Një pjesë e malit të Rugovës, është përfshirë nga flakët që nga mbrëmja e së enjtes.

Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dal Policia, FSK-ja, zjarrfikësit, si dhe KFOR-i.

“Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR-i ka ardhur në ndihmë me helikopterë.“

Tutje ai ka shtuar se njësitë relevante kanë punuar mbrëmë deri në orën 21:30 si dhe ka theksuar se i janë kthyer punës prapë mëngjesin e sotëm

“Kanë punuar deri në orët e vonshme të mbrëmjes diku deri ne orën 21:30 më pas e kanë ndërprerë mirëpo kanë arritur që të lokalizojnë zjarrin“, ka thënë ai për Sinjalin.

Sot kanë dalë në vendin e ngjarjes prapë të gjitha njësitë relevante për të shuar zjarrin“, ka thënë ai.

Gashi ka shtuar se rruga për në Shtupeq ku dhe po bëhet shuarja e zjarrit është bllokuar nga qytetarët.

“Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka pohuar ai.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshkët e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.

“Unë iu kisha bë apel qytetarëve që dalin në bjeshkët e Pejës dhe Istogut, por jo vetëm në këto zona që të kenë kujdes maksimal, meqenëse sepse një duq i cigares në këto temperatura mund të pësojmë sikurse në Turqi“, ka shtuar Gashi.