Mbretërimi i pafund i Elizabetës

Mbretëresha Elizabeta II, monarkja e 63-të britanike, e ka drejtuar monarkinë ndër dekada, mes ndryshimeve të thella sociale, teksa ende sot mbetet simbol i stabilitetit kombëtar, në një botë që kërcënohet herë pas herë nga sfida të forta, sot edhe shëndetësore.

Fëmija më i madh i Dukës dhe Dukeshës së York, Elizabeth Alexandra Mary, mendohej që në vogëli se do të kishte thjesht një rol mbështetës për monarkinë, që drejtohej nga i ati. Ditën e saj të lindjes, më 21 prill 1926, xhaxhai i saj, Princi I Wales ishte trashëgimtari i vetëm i Xhorxhit të 5, me babain e saj i dyti në rradhë, për në krye të fronit. Por jeta e Elizabetës do të ndryshonte brenda një dekade.

Më 11 dhjetor 1936, xhaxhai i saj, tashmë mbreti Eduardi 8, njoftoi se hiqte dorë nga froni, për tu martuar me aktoren amerikane, dy herë të divorcuar më parë, Uallis Simpson. Mbreti abdikoi dhe kurora i kaloi të vëllait, babit të Elizabetës, që zyrtarisht mori titullin Mbreti Xhorxhi 6 dhe atë ditë, Elizabeta zyrtarisht u projektua si mbretëresha e ardhshme, pasi mbreti nuk kishte djem dhe ajo do të duhej të ndiqte hapat e të atit. Ajo u zhvendos me prindërit dhe motrën e saj Margaret, në Buckingham Palace, me qëllimin kryesor të drejtimit dhe shërbimit ndaj kombit, duke u rritur nën drejtimin e rreptë të prindërve monarkë.

Princesha Elizabetë kaloi një adoleshencë të vështirë, nën dritë-hijet e Luftës së Dytë Botërore, ndonëse ajo dhe e motra e kaluan larg tensioneve dhe krejt qetësisht brenda ambjenteve të Kështjellës Uinsdor në perëndim të Londrës, duke u tërhequr gjatë sulmeve ajrore, në bodrumet ku ruheshin stolitë mbretërore.

Në moshën 16 vjecare, ajo u regjistrua në Zyrën e Punës dhe me kërkesë të vetë saj, u regjistrua më pas në divizionin e femrave në Ushtrinë Britanike, në Shërbimin e Ndihmës Territoriale, ku mori trajnimin e nevojshëm për drejtim dhe mirëmbajtje të automjeteve.

Dy vjet pas përfundimit të luftës, Elizabeta festoi 21-vjetorin e saj të lindjes, me një vizitë në Afrikën e Jugut dhe në nder të kësaj dite, mbajti një fjalim publik, ku deklaroi dedikimin e saj në shërbim të Mbretërisë së Bashkuar.

Shumë pak pas kthimit nga Afrika e Jugut, pallati mbretëror njoftoi fejesën e saj me kushëririn e largët, Togerin Philip Mountbatten, i biri i princit Andrew të Greqisë dhe stër-stër-nip i mbretëreshës britanike Victoria.

Çifti u martua në Westminster Abbey më 20 nëntor 1947, në një ceremoni ku morrën pjesë burra të shtetit dhe monarkë nga e gjithë bota. Gjatë ceremonisë, Philip mori titullin Madhëria e tij princi Philip, Duka i Edinburgut, Baron i Greenuic, përzgjedhur para ceremonisë nga Mbreti Xhorxhi 6.

Fëmija i parë i çiftit, Princi Charles, lindi në vitin 1948, ndjekur më pas nga princeshë Anne në 1950, Princi Andrew në 1960 dhe Princi Edward në 1964.

Në shkurt të 1952, princesha Elizabetë dhe bashkëshorti i saj nisën një vizitë zyrtare në Kenia. Lajmi për vdekjen e mbretit Xhorxh e gjeti ciftin në ditën e 6-të turit të tyre dhe fill pas njoftimit, princesha u rikthye në Londër, këtë herë si mbretëresha Elizabeta II.

Ceremonia e kurorëzimit të saj, në moshën 27 vjecare, u mbajt në Westminster Abbey më 2 qershor 1953. Ceremonia u organizua në prani të monarkëve botërorë, krerëve të politikës kombëtare dhe ndërkombëtare dhe biznesmenë, e u transmetua live në mbarë botën përmes radiove dhe televizioneve.

Gjinia por edhe mosha e Elizabetës në atë kohë shkaktuan mijëra komente por kritikat u shuan shpejt përballë idesë se vendi tashmë do të riniste, edhe më fuqishëm, nën drejtimin e një vajze të re, më të freskët në ide e pikëpamje, pas luftës dhe viteve të vështira që do të pasonin.

Ndarjet shoqërore dhe respekti për rendin e vjetër filluan të zbeheshin por mbretëresha u pa menjëherë si një simbol i rëndësishëm i bashkimit kombëtar dhe qëndroi besnike përballë orientimeve të babait të saj të ndjerë.

Në korrik të vitit 1969, princi Charles u ftua si princi i Wales në një ceremoni me rastin e 700 vjetorit të Kështjellës Caernarfon. Gjatë ceremonisë në nder të princit, sipas traditës antike, Charles u zotua për besnikëri ndaj mbretëreshës, përpara se të vishej me emblemat e zyrës së saj.

Vajza e mbretëreshës, princeshë Anne, inauguroi një periudhë të dasmave të kushtueshme mbretërore, kur u martua me kapitenin Mark Phillips në nëntor të vitit 1973. Princesha 23 vjecare theu traditën familjare dhe atë mbretërore, kur gjatë ceremonisë nuk e lexoi betimin se do t’i bindej bashkëshortit.

Në 1981, gjatë një parade ngjyrash, e famshme në Zelandën e Re, atje ku çifti ndodhej për një tur zyrtar, një i ri 17-vjecar tentoi të qëllojë mbretëreshën me pistoletë, me plumbat që kaluan shumë pranë kokës së saj. Mbretëresha shpëtoi.

Më vonë gjatë atij viti, Princi Charles, në moshën 32 vjecare, u martua me 20-vjecaren Diana, në një ceremoni që tërhoqi vëmendjen e mbarë botën, me një audiencë ndërkombëtare prej 700 milionë shikuesish. Turma të mëdha njerzish ndoqën live ceremoninë nga rrugët e Londrës, teksa çifti i ri i drejtohej kishës, mbi një karrocë të hapur. Princeshë Diana solli në jetë fëmijën e parë, William, në qershor të 1982. Djali i tyre i dytë, Harry, erdhi në jetë në 1984.

Në mars të vitit 1986, princi Andrew, djali i dytë i mbretëreshës, njoftoi fejesën e tij me shoqen e fëmijërisë, Sarah Ferguson, që solli me vehte atë që në fillim u pa si një ajër i ri në familjen mbretërore, të fshehur ndër dekada pas traditës dhe zakoneve.

Dekada në vijim e pa familjen mbretërore në qendër të opinionit publik, si kurrë më parë. Vetë mbretëresha e cilësoi vitin 1992 si viti i tmerrshëm, gjatë një banketi të shtruar me rastin e 40 vjetorit të saj në fron.

Gjatë atij viti, princesha Anne, i dha fund martesës së saj 18-vjeçare, në një kohë që kishin nisur spekulimet për një marrdhënie të saj me atë që do të ishte bashkëshorti i dytë, komandanti i marinës mbretërore, Timothy Laurence.

Po në 1992, princi Andrew njoftoi divorcin nga Sarah Ferguson pas 6 vitesh martesë, shtëpia e preferuar e mbretëreshës, Kështjella Uinsdor u dëmtua rëndë nga një zjarr i madh, situata e rrezikshme dhe e mundimshme mes Princit Charles dhe Princeshë Dianës u vu në qendër të mediave, pas zbulimit të problemeve martesore, në biografinë “Diana, historia e saj e vërtetë” dhe në dhjetor të po këtij viti, ata njoftuan ndarjen.

Vitet pas ndarjes nga Princi Charles, vetëm sa ia shtuan Dianës mbështetjen dhe dashurinë e publikut dhe vdekja e saj, pas një aksidenti automobilistik në Paris më 31 gusht 1997, shkaktoi zemërim ndërsa mijëra vetë kryen homazhe për të në rrugët e Londrës dhe para pallatit mbretëror. Mbretëresha u vu nën një presion të paprecedentë për të shpallur zi kombëtare, në mënyrë që populli të mund të kryente homazhet për Dianën, “Princeshën e Popullit”.

Gjatë mbretërimit të saj, mbretëresha ka vizituar territore të pashkelura më parë nga një monark britanik. Në vitin 1975, ajo ishte e para monarke britanike që vizitoi Japoninë. Në 1986, ajo u takua me liderin kinez Deng Xiaoping dhe ishte e para monarke që ngjiti Murin e Madh të Kinës. Në tetor të 1994 mbretëresha mbërriti në Moskë, për një vizitë zyrtare, që synonte rivendosjen e marrdhënieve diplomatike, pas thuajse 5 dekadash armiqësie gjatë luftës së ftohtë anglo-ruse. Në shumë prej këtyre vizitave, monarkët janë përshtatur edhe me traditat vendase, siç ndodhi gjatë vizitës në Xhaminë Faisal të Islamabadit, kur mbretëreshës iu kërkua të mbajë një shami sipër kapeles dhe të hiqte këpucët, për të veshur çorape.

Mbretëresha po ashtu ka organizuar shumë vizita e mbrëmje në respekt të zyrtarëve të lartë si presidenti i SHBA-së Ronald Reagan, liderë të NATO-s, ish-presidentit të Egjiptit Hosni Mubarak apo ish-presidentit afrikano-jugor Nelson Mandela.

Në vigjilje të vitit të ri 1999, mbretëresha mori pjesë në festimet për mijëvjecarin e ri në Londër, duke bashkuar duart me ish-kryeministrin Tony Blair, teksa mijëra vetë shijuan muzikën dhe fishekzjarret.

Londra shenjoi një tjetër datë të rëndësishme në gusht të vitit 2000 kur mbretëresha iu bashkua nënës dhe të motrës në ballkonin e famshëm të Buckingham Palace, për të përshëndetur turmën që ishte mbledhur për të festuar 100-vjetorin e nënës së mbretëreshës. Por këto festime u pasuan nga një periudhë e trishtë, me vdekje dhe zi për familjen mbretërore. Mbretëresha Margaret u nda nga jeta në shkurt të 2002-shit, pas një sërë goditjesh në zemër dhe 2 muaj pas saj, humbi jetën edhe nëna e mbretëreshës, në moshën 101-vjec.

Më pak se një muaj pas funeralit të nënës së saj, mbretëresha mori pjesë në inaugurimin e “Jubileut të Artë”, që shënonte 50 vjet në fron, me festimet që zgjatën për 4 ditë.

Pas një lidhje jashtë-martësore, Princi Charles u martua më në fund me dashurinë e jetës së tij, Camilla Parker-Bowles në prill të 2005-ës. Mbretëresha nuk pranoi të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare në Kishën e Anglisë por bashkë me princin Filip dhe anëtarët e tjerë të familjes mbretërore, mori pjesë në shërbesën e bekimit në kishën Saint George, në Uinsdor.

Pas sulmit me bombë në sistemin hekurudhur të Londrës në 7 korrik 2005, mbretëresha vizitoi disa prej të plagosurve në Spitalin Mbretëror të Londrës. 52 vetë humbën jetën dhe më shumë se 700 të tjerë mbetën të plagosur pas sulmeve të njëpasnjëshme herët në mëngjes.

Mbretëresha festoi ditëlindjen e saj të 80 më 21 prill të 2006 jashtë dyerve të Uinsdor, ku pranoi lule e kartolina urimi nga mijëra qyterarë, që ishin mbledhur aty për ta ururar.

Edhe pse thuajse 90-vjec, mbretëresha nuk shfaqi shenja ngadalësimi apo tërheqje. Në prill të 2009, ajo mirëpriti në Pallatin Mbretëror, presidentin e sapo zgjedhur Barack Obama dhe zonjën e tij Michele. Gjatë mbretërimit të saj, Elizabeta ka pritur 12 presidentë amerikanë, me përjashtim të Lyndon B Johnson.

Si kryetare e Shtetit, mbretëresha çel formalisht cdo sesion të ri parlamentar në një ceremoni të thjeshtë, sipas traditës. Ajo ulet në një fron në “Shtëpinë e Lordëve”, me veshjet tipike të kurorës dhe parlamentit, ku mban një fjalim drejtuar qeverisë, ku nënvizon gjithnjë politikat dhe legjislacionin e propozuar, për sesionin e ardhshëm.

Më 16 shtator 2010, Papa Benedikti 16 u prit me një ceremoni zyrtare nga mbretëresha në pallatin e Holyrood, rezidencën e saj në kryeqytetin skocez, Edinburgh. Vizita 4-ditore ishte e para e një Pape, pas ftesës së vetë Elizabetës dhe jo nga ana e Kishës.

Mbretëresha u shfaq e lumtur pas dasmës, aq shumë të pasqyruar e mirëpritur të nipit të saj, princit Uilliam me Kate Midleton më 29 prill 2011, në Londër. Ceremonia u ndoq live nga më shumë se 2 miliardë njerëz në mbarë botën. Në maj 2011, mbretëresha zhvilloi vizitën shtetërore historike në Republikën e Irlandës, e para e një monarku britanike, që nga koha kur Irlanda shpalliu pavarësinë nga Londra në 1921.

Elizabeta u prit me nderime shtetërore nga presidentja irlandeze Mary McAleese, në rezidencën e saj në Dublin dhe vizituan bashkë Kopshtin e Kujtesës, monumenti i Irlandës, dedikuar heronjve të rënë në luftë.

Elizabeta udhëtoi në Australi në tetor 2011, në vizitën e saj të 16-të në vend. Gjatë turit 11-ditor, ajo çeli punimet e bienales në Perth dhe mbajti një banket me të gjithë krerët e shteteve.

Në 60-vjetorin mbi fron, më 6 shkurt 2012 nisën festimet për “Jubileun e Diamantë”, që nisi me 41 të shtëna me top nga Hyde Park në Londër, ashtu siç tradita e kërkon.

Mbretëresha dhe princi Filip kaluan 6 muajt në vijim duke marrë pjesë në eventet në nder të jubileut të diamandtë, përqark Mbretërisë së Bashkuar. Në maj, mbretëresha organizoi një drekë zyrtare në Kështjellën Uinsdor.

Në qershor, festimet përfshinë edhe spektaklin e mbi 1 mijë anijeve që morën pjesë në paradën më të madhe të organizuar mbi lumen Tamiz në 350 vjet. Koha me shi nuk i ndaloi britanikët të shijojnë festimet.

Një muaj më parë, monarkja 86-vjeçare u shndërrua padyshim në një yll të ceremonisë hapëse të Lojërave Olimpike në Londër, pasi u shfaq në film të shkurtër, në krah të aktorit të famshëm të filmit “James Bond”, Daniel Craig.

Në video, monarkja shfaqet teksa hidhet nga helikopteri dhe me parashutë, ulet në Stadiumin Olimpik. Roli i vajzës Bond nga mbretëresha dhe mbështetja e saj e pakursyer për filmin britanik dhe industrinë e televizionit, bënë që monarkja të fitojë cmimin e nderit, në Çmimet BAFTA, ekuivalente me cmimet Oskar në Hollivud.

Në dhjetor të 2012, ajo mori pjesë në mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar. Hera e parë dhe e fundit që një monark merrte pjesë në mbledhjen e qeverisë ishte ajo e mbretit Xhorxh i 3 në vitin 1781.

Mbretëresha kaloi 30 minuta, ulur në karrigen e kryeministrit David Cameron dhe dëgjoi ministrat teksa diskutonin për ndryshimet e mundshme në rregulloren për pasardhësit e mbretëreshës në fron, që do të lejonte edhe një vajzë, që të mbretërojë, nëse vëllai i saj është më i vogël në moshë.

Mbretëresha kishte arsye për të festuar kur në qershor të 2013, kali i saj fitoi Kupën E Artë, për herë të parë në garën që zhvillohej prej 207 vitesh.

Me ardhjen në jetë të djalit të Uilliam dhe Kate në korrik të 2013, u shënua hera e parë në qindra vite që 3 gjenerata direkt për pasues të fronit, janë ende gjallë. Princi Xhorxh, sipas babait të mbretëreshës, është i treti në rradhë në linjë për në fron, pas babait dhe gjyshit të tij.

Në shtator të 2013, Skocia bëri përpjekjen për të fituar pavarësinë, përmes një referendumi. Teksa shkeli zyrytarisht protokollin mbretëror, kryeministri David Cameron rrëfeu çka mbretëresha kishte thënë pas referendumit, se ajo ishte e lumtur që partia Kombëtare e Skocisë kishte dështuar dhe se Skocia ende do të ishte pjesë e Mbretërisë së Bashkuar.

Princi Charles mori përsipër disa detyra mbretërore nga nëna mbretëresha, e cila tashmë kishte vendosur të tërhiqej nga udhëtimet ndërkombëtare por në qershor të atij viti, vetë Elizabeta dhe princi Filip udhëtuan për pak ditë drejt Gjermanisë, në një vizitë shtetërore.

Në tetor, Uilliam dhe Kate sollën në jetë fëmijën e tyre të dytë dhe stërmbesën e 5 të mbretëreshës, për të cilën u mbajt një meshë e vecantë në kishën e Sandringham.

Më 9 shtator 2015, kombi festoi përsëri, këtë herë për monarken më jetëgjatë që i ka shërbyer vendit. Elizabeta II tejkaloi edhe mbretërimin e stër-stër-gjyshes së saj, Mbretëreshës Viktoria e cila qëndroi në fron për 63 vjet, 7 muaj, 2 ditë, 16 orë e 23 minuta.

Londra shpërtheu në festë, me parada në rrugë e mesazhe solemne iu drejtuan mbretëreshës nga parlamenti dhe qytetarët. Ajo u shpreh përmes një fjalimi të shkurtër për këtë përvjetor, teksa inauguroi një linjë të re hekurudhore në Skoci.