Menaxheri i autobusit që u sulmua në Serbi tregon se a pati të lënduar

Të shtunën mbrëma një autobus me udhëtarë nga Kosova i cili po udhëtonte nëpër Serbi për në Frankfurt, është sulmuar me gurë. Menaxheri i kompanisë së cilës iu sulmua autobusi ka thënë se nuk ka pasur të lënduar

“Autobusi ka arrit në cakun për gjysmë orë. S’ka asnjë të lënduar. Ka vazhduar procedurat tjera. Gjithçka në rregull. E kanë kryer punën e tyre autoritet serbe”, ka thënë Ibrahim Veselaj, menaxher në kompaninë “Shpejtimi”

Autobusi po udhëtonte nga Prishtina për në Frankfurt, kur u godit derisa po kalonte nëpër Serbi. Sipas dëshmitarëve të rastit, autobusi ishte kryesisht i mbushur me shqiptarë që po udhëtonin në perëndim.

Një nga personat që po udhëtonte me autobus ka thënë se derisa autobusi po kalonte nëpër qytetin Krushevac në Serbi, është gjuajtur me gurë.

Ndërkaq sulmin e ka dënuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme, e cila ka kërkuar që të mos udhëtohet nëpër Serbi derisa të ketë siguri të plotë.