Mësohet çka u bisedua në takimin Kurti-Lajçak

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar sot një komunikatë për takimin e mbrëmshëm të liderit të këtij subjekti, Albin Kurtit me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajcak.

Në këtë komunikatë shkruhet se Lajcak dhe Kurti kanë diskutuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Në fillim të takimit ata folën për zgjedhjet e fundit, mbarëvajtjen e tyre dhe çka nënkuptojnë ato për vendin dhe qytetarët, si dhe për domodoshmërinë e formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja. Kryeministri në ardhje Kurti e njoftoi z. Lajčák për prioritet e Qeverisë së tij e të cilat burojnë nga nevojat sa evidente aq edhe të shprehura hapur nga qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se Kurti i ka thënë Lajcakut se dialogu me Serbinë është një proces i rëndësishëm që nuk duhet të neglizhohet.

“Porse duke qenë i tillë ai duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me një qasje të re. Duhet të jetë transformues duke qenë i bazuar në parime e vlera, për dallim nga ai transaksional i bazuar në interesa momentale. Së dyti, të ketë karakter trans-atlantik në kuptim të bashkërendimit në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës por edhe të integrimeve perëndimore për të dy palët. Së treti, të jetë demokratik e transparent, në shërbim të popujve e qytetarëve dhe jo të qeverive aktuale apo politikanëve të veçantë. Në fund, të dy u dakorduan të mbeten në kontakt të rregullt dhe të vazhdojnë bashkëpunimin pas formimit të qeverisë së re”, thuhet në këtë njoftim.