Milionerët synojnë t’ia marrin postin kryetarit të ‘varfër’

Katër burra i kanë hyrë garës për të marrë pozitën e të parit në Komunën e Vitisë. Njëri për ta vazhduar edhe një mandat e tre tjerë për t’ia marrë postin atij.

Tre kundër kandidatët e kryetarit aktual, Sokol Haliti, janë milionerë. Kandidati i AAK-së është bizensmen. Njëjtë si Nura por jo aq i pasur sa ai, është edhe kandidati i PDK-së, Besim Halimi, i cili e ka pranuar se pasura e tij e kalon milionëshin.

Këtyre u bashkohet edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Salihu, i cili ka pasuri të paluajtshme me mbi 2.2 milionë euro.

Ndërsa kryetari aktual, Sokol Haliti, në deklarimin e pasurisë për këtë vit ka deklaruar një tokë të trashëguar nga prindi me vlerë prej 125 mijë euro, shtëpinë që e ka vlerësuar me 70 mijë euro si dhe në institucione bankare ka deklaruar rreth 33 mijë euro para të gatshme.

Qyteti me rreth 47 mijë banorë, ka repart të Gjinekologjisë, por gratë e Vitisë duhet që lindjet t’i bëjnë në qytete tjera, pasi që kjo nuk u mundësohet nga Komuna e Vitisë.

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se Vitia ka probleme të mëdha me deponitë ilegale, me ujin e pijshëm e me ujërat e zeza. As arsimi nuk qëndron më mirë. Në Viti ka vetëm një çerdhe publike për fëmijë dhe vetëm një sallë të edukatës fizike.

Komuna e Vitisë ka buxhet prej rreth 10 milionë euro në vit.

Shëndetësia

Instituti GAP thotë se Vitia ka probleme në ofrimin e trajtimit shëndetësor. Sipas të dhënave të GAP, një mjek në Viti u shërben 308 banorëve për dallim nga mesatarja e komunave të tjera ku një mjek u shërben 288 banorëve.

Përveç që s’ka staf të mjaftueshëm shëndetësor, Vitia nuk ka as edhe hapësira të mjaftueshme për t’u kujdesur për nevojtarët. Hulumtimi i KALLXO.com tregon se të sëmurët me dializë duhet të udhëtojnë në Gjilan ose Ferizaj për të marrë shërbime të hemodializës, pasi që nuk ka repart që merret më trajtimin e këtyre personave.

Në Viti ekziston reparti i Gjinekologjisë, por aty bëhen herë pas herë vetëm kontrolle, por jo edhe lindje. Gratë vitiase ‘detyrohen’ të udhëtojnë më shumë se 21 kilometra për në spitalin e Gjilanit ose Ferizajt që t’i kryejnë lindjet.

Në anën tjetër, fshati Pozhoran, që ka mbi 4 mijë banorë, ka shtëpi të shëndetit, të ndërtuar këtë mandat, por që s’ka asnjë stomatolog. Banorë të këtij fshati i kanë thënë KALLXO.com se ata kanë nevojë për një ekip të stomatologëve. Megjithatë edhe pse Komuna nuk ka vendosur asnjë stomatolog në shtëpinë e shëndetit, 3 ordinanca private janë duke operuar në këtë fshat.

Sporti dhe Kultura

Për herë të parë në histori të Vitisë, një klub futbolli ka arritur të luaj në superligën e futbollit vendor. KF ‘Vllaznia’ e Pozheranit këtë vit po luan në elitën e futbollit kosovar por ndeshjet nuk po i luan në stadiumin e vet. Shkak për këtë është infrastruktura e dobët e stadiumit. Ajo detyrohet që ndeshjet t’i luajë në stadiumin e qytetit të Gjilanit dhe vitiasit nuk mund t’i shikojnë ndeshjet e ekipit të tyre si vendas.

INSERT FOTO 1 – Stadiumi i Pozheranit

Përveç që s’munden ti shohin ndeshjet e KF ‘Vllaznia’, vitiasit s’mund të shohin as shfaqje teatrale, meqë në Komunë nuk ka teatër. Qyteti i Vitisë kishte qenë përfituese e një donacioni të një kinemaje 3D, por që ajo nuk është funksionalizuar.

Vitia në gjirin e saj ka edhe një sportiste olimpistë. Urata Rama vitin e kaluar kishte qenë njëra nga 8 olimpistët që e kishin prezantuar Kosovën në Lojërat Olimpike në Rio të Brazilit. Por Uratës i kishte munguar mbështetja institucionale. Në 2016, Komuna asaj ia kishte dhënë 959 euro subvencion gjatë qëndrimit në Rio, e që i bie rreth 80 euro në ditë.

Stadiumi i Pozheranit. Foto: Kallxo.com
Deponitë ilegale të mbeturinave

Edhe pse qendra e qytetit ta krijon përshtypjen e një komune krejtësisht të pastër e pa deponi, kjo ndryshon kur viziton edhe vendbanimet përreth qytetit.

KALLXO.com ka gjetur se janë mbi 20 deponi ilegale në Komunën e Vitisë. Këtë e kanë pranuar edhe vet zyrtarët e Komunës.

Sipas zyrtarëve të Komunës ata i kanë asgjësuar disa deponi ilegale por që ende s’kanë arritur t’i zhdukin në tërësi.

Deponia e mbeturinave në fshatin Budrigë e Epërme. Foto: Kallxo.com
Arsimi

Vetëm një shkollë në qytetin e Vitisë ka sallë të edukatës fizike. Shkollat tjera posedojnë poligone sportive, mirëpo mbajtja e orës së edukatës fizike gjatë stinës së dimrit dhe kohës me shi është e pamundur të mbahet në ato poligone.

Kurse Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar se Komuna e Vitisë edhe pse ka ndarë fonde për bursa të studentëve ka vendosur që paratë mos t’i ndajë te studentët, por t’i mbajë në kuletën e saj. KALLXO.com ka gjetur se bursat e planifikuara për vitin akademik 2016/2017 janë ndarë vetëm në korrik të vitit 2017. Pra 135 studentë bursat i kanë marrë me vonesë. Në komunë arsyetohen duke thënë se janë dhënë brenda vitit akademik, megjithatë në Qershor studentët veçse i përfundojnë provimet e tyre.

Në komunën e Vitisë ekziston vetëm një çerdhe publike për fëmijë dhe një çerdhe tjetër private. Sipas zyrtarëve të Komunës, ata mund të gjejnë hapësirat për çerdhe, pasi që mund të përdorin një pjesë të një shkolle, por thonë se s’kanë fonde për të paguar personelin.

Ujërat e zeza dhe Ujësjellësi

Komuna e Vitisë ka probleme edhe më ujë të pijshëm e me kanalizime. Banorët e fshatrave Sllatinë e Epërme dhe e Poshtme, Trestenik, Sadovinë e Çerkezve dhe Sadovinë e Jerlive ende nuk janë kyçur në rrjetin e ujësjellësit, edhe pse Komuna thotë se ka punuar në shtrimin e sistemit të ujësjellësit. Katër fshatra të tjerë të komunës, Goshica, Gërmova, Vërbani dhe Smira nuk janë të kyçura në rrjetin e ujësjellësin.

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se në fshatra të tjera të komunës ka probleme me sistemet e ujësjellësit të cilat nuk menaxhohen nga Hidromorava. Sipas të dhënave të siguruara vendbanimet të cilat kanë ujësjellës dhe nuk menaxhohen nga ndonjë kompani janë: Letnicë, Shashare, Skifteraj, Beguncë, Kabash, Binqe, Shusht, Tërpezë, Budrikë dhe Zhiti.

Fshati Tërpezë është i kontraktuar po ende nuk ka rrjet të kanalizimit, në fshatin Beguncë, Ramnishtë dhe në pjesën lindore të Vitisë rrjeti i kanalizimit është i përfunduar vetëm 50%. Fshatrat që nuk kanë gropa septike dhe si pasojë kanë probleme me ujërat e zeza janë Devaja, Fshati i Ri, Budrika e Epërme, Goshica, Verbani, Sodovina e Çerkezve, Tresteniku, Lubishta dhe Kabashi.