Ministria e financave tregon nëse do t’ju ndalen pensionet “veteranëve të rrejshëm”

Rreth 20 mijë veteranë, të cilët dyshohet se janë të rrejshëm, do të vazhdojnë të marrin pagesa mujore nga shteti derisa nuk faktohet nga institucionet e drejtësisë se ata nuk kanë qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëse vërtetohet se mbi 19 mijë përfitues të pensioneve janë veteranë të rrejshëm, atëherë i bie që për tetë muaj të këtij viti buxheti i shtetit të jetë dëmtuar për rreth 26 milionë euro.

Ndonëse ka dyshime se rreth 20 mijë veteranë, të cilët marrin pensione nga shteti i Kosovës, janë të rrejshëm asnjërit prej tyre ende nuk i është ndalur pagesa mujore.

Kështu, ata do të vazhdojnë të marrin një pagë nga buxheti, pasi që konsiderohet se ndalja e pensioneve për ta nuk mund të bëhet derisa nuk faktohet se ata nuk janë veteranë të rrejshëm. Muharrem Shahini, zyrtar për Informim në Ministrinë e Financave, në një prononcim për “Zërin” e ka pohuar se veteranëve u kanë dalë pensionet.

Ndërsa zyrtarë të Zyrës për Informim në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale në një prononcim për gazetën “Zëri” kanë treguar se asnjërit prej veteranëve, as atyre që po dyshohet se janë të rrejshëm, nuk u janë ndalur pensionet.