Ministritë e dështimeve për vitin 2019: Nuk sollën asnjë njohje, arsimin e vendosën të fundit në botë

Asnjë njohje nuk e mori Kosova përgjatë gjithë vitit 2019, kjo konsiderohet si një prej dështimeve më të mëdha të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Në anën tjetër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është ajo që u fajësua më së shumti për dështimin e nxënësve të vendit në testin PISA, ku u radhiten të fundit. Dy ministritë thuajse në secilin muaj të këtij viti kanë qenë në qendër të kritikave për këto dy dështime të mëdha.


116 njohje ndaj Pavarësisë së Kosovës figurojnë në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky numër nuk ka ndryshuar që nga 15 shkurti i vitit 2018, kur erdhi njohja e fundit nga Barbados.

Ndonëse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, nga Serbia kanë deklaruar se Kosovës ia kanë tërhequr njohjen edhe së paku tre vende të tjera, pas fushatës së ashpër të tyre.

Sidoqoftë, këto deklarata të Serbisë dhe raportimet nëpër media, MPJ i kishte quajtur ‘lajme të rreme’, duke thënë se janë në kontrakt të vazhdueshëm me të gjitha vendet që raportohej se kanë tërhequr njohjet, si shteti i Ganës.

Metro kishte raportuar ekskluzivisht për konfirmimin që ishte bërë nga zëvendësministri i Jashtëm i Ganës, Charles Owiredu, i cili kishte thënë se thënë se vendimi për ta njohur pavarësinë ‘ka qenë i ngutshëm’.

“Qeveria e Ganës ka marrë vendim që të tërheqë njohjen ndaj pavarësisë së Kosovës. Kjo pasi që ky vendim ka qenë i nxituar”, kishte thënë ai.