Mos e ka për Albinin more, jo për mu?

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka folur për statusin e fundit të presidentit Hashim Thaçi në Facebook që shumëkush e interpretoi si kundërpërgjigje ndaj tij.

“Mos e ka për Albinin more, jo për mu?”, tha Haradinaj në konferencën për media pas takimit të krerëve institucionalë.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi shkroi në Facebook se “thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”.

Sipas tij, “individë të caktuar në vendin tonë, me veprimet e tyre po tentojnë të krijojnë panik dhe konfuzion”.

Ky shkrim i Thaçit erdhi pas atij të kryeministrit, Ramush Haradinaj i cili tha se diskutimi mbi kufijtë është “ftesë për tragjedi të reja në Ballkan”.

“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”.

Haradinaj në këtë konferencë për media deklaroi se për çështjen e kufijve, pozicioni i tij është i qartë.

“Jemi duke biseduar, e vërteta është kështu – ka një kohë të gjatë që ekziston një teori e ndreqjes së raporteve shqiptaro-serbe, ekziston nga koha e kryeministrit Zoran Gjingjiq dhe është mbajtur gjallë edhe më tutje prej Ivica Daçiqit edhe të tjerëve”.

“Diskursi ka ndryshuar por ka pasë diskutime të çuditshme edhe në Kosovë”.

“Pozicioni im është i qartë, e kam bërë të qartë në mënyrë korrekte, profesionale, transparente dhe mbetet i tillë”.