Musa: Këto janë udhëheqësit kosovar që mund të ofrojnë garanci për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Avokati, Skënder Musa, në një pronocim për “Gazeta Blic” ka sqaruar të gjithë procedurën se si shteti i Kosovës mund të ofrojë garanci për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, që të mbrohen në liri.

Musa ka thënë se ofrimin e garancisë  mund ta bëjë Presidenti, Kryeministri, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Ministri i Drejtësisë së Kosovës.

“Në radhë të parë duhet të shteren të gjitha mundësitë ligjore që parashihen në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës që gjenden në Hagë. Në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës të shteren të gjitha mundësistë dhe të jepen të gjitha garancitë ligjore që parashihen për caktimin e masës së paraburgimit dhe kjo përfshin që të garantohet që të akuzuarit nuk do të arratisen, nuk do të kontaktojnë me persona të caktuar që mund të jenë dëshmitarë, të dëmtuar si dhe mos të komunikojnë edhe me vetë të akuzuarit. Të gjitha këto duhet të kryhen edhe nga mbrojtja dhe në këtë aspekt Kodi i Procedurës Penale i parasheh këto rregulla”

“Gjykata nuk kërkon garancione, gjykata është organ neutral dhe asnjëherë në asnjë rast të vetëm në sistemin e drejtësisë, po flas për Evropë dhe në vendet ku vepron shteti juridik, shteti si organ nuk kërkon asnjë lloj kërkese ndaj shtetit të Kosovës apo ndaj shteteve të tjera, për shkak se ajo është neutrale, ajo që duhet të kërkojë është mbrojtja. Duhet të kërkojë mbrojtja nga shteti konkret, edhe nga shteti i Kosovës që japin garancione se këto të akuzuar nuk do t’i shkelin kushtet ligjore apo kushtet për të cilat do t’i vendosë Gjykata nëse do t’i lirojë të mbrohen në liri. Sepse çështja e paraburgimit nuk ka lirim me kusht siç po përkthehet, sepse ligji e njeh lirim për t’u mbrojtur nga liria dhe ndonjë masë tjetër të garancionit, pra garancione të ndryshme. Duke patur parasysh faktin se kemi të bëjmë me një Gjykatë që vepron jashtë territorit të Kosovës por është pjesë e sistemit kushtetuese dhe drejtësisë së Kosovës, duhet të garantojnë institucionet tona, duke përfshirë nga Presidenti, Kryeministri, mundet edhe Ministri i punëve të Brendshme dhe Ministri i drejtësisë që të garantojnë se kemi institucione funksionale.”

Musa tutje potencon se në rast se Dhomat e Specializuara nuk i besojnë institucioneve të Kosovës se janë të gatshëm të mbikqyrin masat e vendosura nga ata si, arresti shtëpiak, paraqitja në Polici apo ndalimi për t’u afruar në një vend të caktuar, atëherë garancinë mund ta ofrojë një shtet i tretë.

“Në rast se Dhomat e Specializuara nuk i besojnë institucioneve të Kosovës, që nuk janë të gatshëm të mbikqyrin ndonjë masë, qoftë arresti shtëpiak apo paraqitjes në Polici apo ndalimit për t’iu afruar vendit të caktuar apo personave të caktuar, mund të ndodhë që të japin mundësinë që të ofrojë garanci ndonjë shtet i tretë, mirëpo sërish këtu duhet të kyqet mbrojtja e të akuzuarve dhe institucionet e Kosovës. Për mua personalisht do të ishte shumë më në rregull dhe shumë më ligjore, që institucionet e Republikës së Kosovës të jenë ata që japin garancione dhe që provojnë se institucionet tona janë në gjendje që të zbatojnë çdo masë që caktohet nga Gjykata, pasi në aspektin ligjor dhe kushtetues kemi të bëjmë me një Gjykatë të Kosovës edhe pse i ka të gjitha elementet e Gjykatave Ndërkombëtare” tha Musa për Gazeta Blic.

Skënder Musa, Avokat 

Gjykata Speciale ditë më parë refuzoi lirimin me kusht të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Garancioni për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së nga shteti i Kosovës, ka sjellë në vëmendje edhe deklaratën e Donika Gërvallës, dhënë kohë më parë, ku theksonte se do të deponojë materiale në Speciale për ish-udhëheqësit e UÇK-së.

Një dekalaratë e tillë nuk është pritur aspak mirë dhe po kërkohet edhe shkarkimi i saj nga posti i Ministres së Punëve të Jashtme.