Mustafa pranon se dje u takua me Thaçin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka mohuar se partia e tij është marrë vesh me presidentin e vendit, Hashim Thaçi, rreth dekretit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

“S’kemi pasur asnjë marrëveshje me të”, ka deklaruar Mustafa, në një konferencë për media, ku ka kumtuar vendimin e LDK’së për prishjen e koalicionit qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, pas shkarkimit të ministrit Agim Veliu, për komentet rreth koronavirusit dhe gjendjes së jashtëzakonshme.

“Më është lajmëruar dje, pasi kam bërë një postim në Facebook”, ka thënë Mustafa, duke treguar rreth një bisede që ka zhvilluar me Thaçin.

Sipas Mustafës, Thaçi e ka thirrur “me bindjen që e ka kritikuar se ai s’po merr masa”.

“S’kemi kërkuar në mënyrë eksplicite që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Kam thënë se është opsion që duhet të merret parasysh, që ta përmbyllim këtë situatë”, ka sqaruar kreu i LDK’së.