NATO’ja kërkon të ulë tensionet mes Rusisë dhe SHBA’së

NATO-ja i kërkoi sot Rusisë që të respektojë traktatin e arritur në vitin 1987 mbi armët bërthamore pas kërcënimit të SHBA-së për t’u tërhequr dhe paralajmëroi Moskën gjatë një mbledhje këshillimi në Bruksel për “vendosmërinë për garantimin e sigurisë së saj”.

Këshillimi u zhvillua në nivelin e ambasadorëve të dy blloqeve gjatë mbledhjes së këshillit NATO-Rusi në selinë e Aleancës në Bruksel.

“Aleatët i kërkojnë sërish Rusisë që të respektojë plotësisht pa vonuar traktatin mbi armët bërthamore me rreze të mesme (FNI) të arritur në 1987”, njoftoi NATO-ja në një komunikatë të publikuar në përfundim të mbledhjes, përcjell Atsh.

Nga ana tjetër aleatët europianë në NATO konsiderojnë se traktati FNI është thelbësor për sigurinë në Europë dhe janë shprehur të shqetësuar nga rreziku i mundshëm i tërheqjes së SHBA-së nga ky traktat.