“Në këto komuna mund të ketë përplasje në mes partnerëve të koalicionit”

Zgjedhjet lokale po afrohen dhe partitë tanimë kanë nisur fushatën parazgjedhore për këto zgjedhje.

Por, sa mund të ndikojnë këto zgjedhje në harmoninë e koalicionit qeveritar, analistët kanë vlerësime të ndryshme.

Nexhmedin Spahiu, njohës i çështjeve politike nuk beson që në këto zgjedhje do të ketë përplasje mes partnerëve të koalicionit. Megjithatë, thotë se përplasje mund të ndodhin vetëm në dy komuna.

Spahiu ka thënë se përplasjet mund të vijnë ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, si dhe PDK-së e Aleancës, pasi që sipas tij, aty ku nuk është PDK e fortë është Aleanca dhe anasjelltas.

“S’ma merr mendja që mund të ketë përplasje të liderëve, pasi që ata faktikisht nuk ndeshën gati askund realisht, por ndeshen në teori. Por, në praktikë ndeshja mes partnerëve të koalicionit faktikisht mundet me ndodhë në Mitrovicë, ku mundet me qenë kandidat potencial përfaqësuesi i AKR-së edhe i PDK-së. Eventualisht edhe në  Malishevë, po mendoj Nisma dhe PDK-ja, por besoj që kandidati i Nismës është potencial”, ka thënë Spahiu për ‘Indeksonline’.

Spahiu ka folur edhe për garën në kryeqytet.

“Për kryeqytet dy kandidatët më kryesorë janë Shpend Ahmeti dhe Arban Abrashi. Këtu nuk ka arsye për përplasje përveç asaj të VV-së dhe LDK-së që është e natyrshme. Zgjedhjet lokale nuk e trazojnë nivelin kombëtar të qeverisjes në kuptimin e ballafaqimeve mes kandidatëve të ndryshëm”,ka thënë ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor.