Nënkryetari i AKR-së, Bahtiri: Albin Kurti i ka sjellë nënshkrimet e deputetëve, por Isa Mustafa nuk po përgjigjet, e presim vetëm deri më 7 shtator

Kjo javë pritet të jetë vendimtare për koalicionin parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa, për prishje të marrëveshjes së koalicionit apo për vazhdimin e bashkëpunimit të tyre. Kjo pasi që AKR-ja ka vendosur që të largohet nga koalicioni me LDK-në nëse kjo parti nuk i përgjigjet pozitivisht ftesës së VV-së për bashkëpunim rreth krijimit të institucioneve deri me datën 7 shtator.

Kështu i ka thënë portalit “Gazeta Blic” nënkryetari i AKR-së Agim Bahtiri, i cili njëherit është edhe kryetar i Komunës së Mitorivcës së Jugut.

Bahtiri, i ka bërë apel liderit të LDK-së Isa Mustafa, që t’i le inatet personale me VV-në dhe të ulët për të diskutuar me të nominuarin e kësaj partie për kryeministër Albin Kurti, rreth çështjes së bashkëpunimit të tyre për formimin e institucioneve.

Edhe sot po i bëjë apel Isa Mustafës që të ulët me Vetëvendosjen, ne i kemi 61 vota, Albin Kurti i ka sjellë nënshkrimet e deputetëve por Mustafa nuk po i përgjigjet. Ne kemi bindur edhe deputetë të tejrë që të nënshkruajnë një gjë të tillë, që bëhen 69 gjithësej.  Kemi mbështetje edhe nga deptuetë e koalicionit PAN. Le të vlejë ky apel i imi për arritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit dhe të ecim përpara”, tha ai.

E nëse i pari i LDK-së nuk shfaq interesim për të bashkëpunuar me VV-në deri të ejtën e kësaj jave, Bahtiri thotë se AKR-ja do të largohet nga koalicioni parazgjedhor duke u ndjerë e zhgënjyer me Mustafën, raporton GazetaBlic.com

Nëse nuk ndodh, atëherë duhet të shohim se si të veprojmë. Por afatin e kanë deri më 7 shtator që të marrin vendime, por pas asaj date unë mendoj se Kosova shkon në zgjedhje. Ne do të largohemi nga koalicioni me LDK-në nëse deri më 7 shtator nuk i përgjigjën kërkesës tonë. Personalisht unë jam për zgjedhje të parakohshme, por largimi nga ky koalicion do të ndodh, kjo është e pakthyshme. Ne do të themelojmë grupin parlamentar tonë, deputetë i kemi të mjaftushëm dhe do të jemi të ashpër me ta për arsye se ky është një zhgënjim total”, paralajëmron nënkryetari i AKR-së Bahtiri.

Gjendja jo e favorshme në të cilën sipas Bahtirit ndodhet vendi pas zgjedhjeve të parakohshme 11 qershorit, mungesa e buxhetit të mjaftushëm për ndarjen e pensioneve për veteranët e UÇK-së dhe humbja e dhjetëra miliona eurove në mungesë të institucioneve, janë këto disa nga arsyet që sipas tij po e detyrojnë AKR-në që të largohet nga koalicioni me LDK-në.

Bahtiri, thotë se deri më tani i kanë qëndruar besnik koalicionit me LDK-në duke mohuar kështu mundësitë për takime me përfaqësues të koalicionit PAN, për bashkëpunim rreth krijimit të institucioneve.

Deri më sot asnjëherë nuk jemi ulur dhe nuk kemi biseduar me PAN-in lidhur me krijimin e institucioneve sepse i kemi qëndruar besnik marrëveshjes me LDK-në, por kjo parti na ka zhgënjyer, ne kemi pasur marrëveshje që  në disa komuna LDK të mos ketë kandidatë për kryetar komunash dhe t’i mbështesin kandidatët tonë por nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe përveç kësaj as telefonin tani nuk na hapin, kjo është turpi më i madh”, u shpreh ai.

Ky nënkryetar i AKR-së, po ashtu ka hedhur dyshime se lideri i LDK-së Mustafa, është duke e ‘luajtur lojën’ e vitit 2014 kur ishte larguar nga koalicioni i atëhershëm për të bashkëpunuar me PDK-në. E një gjë e tillë, Bahtiri beson se do të ndodh pas zgjedhjeve lokale që janë caktuar të mbahen më 22 tetor, nëse deri në atë kohë vendi mbetet pa institucione.

Jemi të zhgënjyer jashtëzakonisht shumë me Isa Mustafën, unë personalisht jam takuar disa herë më të dhe i kam kërkuar disa herë që mos ta lemë pa institucione këtë shtet të sapo themeluar që ende nuk jemi aq të fuqishëm, por Mustafa tanimë e ka marrë një vendim që të mos shkojë në koalicion me PAN-in që të mos dëmtohet në zgjedhjet lokale, por në atë minut që të përmbyllen zgjedhjet lokale ai do të shkojë me Partinë Demokratike të Kosovës sikurse si ka shkuar më parë, unë mendoj kështu”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, lideri i AKR-së Behgjet Pacolli ka bërë disa lëvizje prej se ka hyrë në koalicion parazgjedhor me LDK-në. Fillimisht, kishte folur fjalë të mira për LDK-në dhe Isa Mustafë. Por, pas certifikimit të zgjedhjeve është ankuar se është lënë anash nga LDK-ja dhe nuk ka pasur koordinim për zgjedhjet lokale.

Madje, Pacolli kishte dhënë edhe një ultimatum për LDK-në për të ndërtuar një koalicion me Vetëvendosjen. Pas këtij ultimatumi ka pasur edhe më shumë largim të Albin Kurtit e Isa Mustafa, i cili një ditë i quajti banditë e kriminal zyrtarët e Vetëvendosjes që e kishin sulmuar edhe në shtëpi private sa ishte Kryeministër.

Në seancën e fundit ku dështoi votimi për Kryetar të Kuvendit, Enver Hoxhaj kishte kërkuar shtyrjen e seancës për të paktën edhe dy javë. Kishte thënë se iu duhen më së shumti dy javë kohë për të vazhduar konsultimet lidhur me formimin e institucioneve.

Formimi i institucioneve

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Pas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë. Në bazë të marrëveshjes politike është e pritshme që partia apo koalicioni fitues të propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës (61 vota).

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.