Neymar paralajmëron verë të nxehtë: “Dua të luaj me Cristiano Ronaldon”

Cristiano Ronaldo mund të përfundojë në Paris Saint Germain.

Duke parë që Juventusi rrezikon të mbetet jashtë Champions League, Cristiano me shumë gjasa do të mendojë se ku të vazhdojë karrierën, pasi tashmë ekzistonin spekulimet se mund të largohet nga ‘Zonja e Vjetër’.

Sido që të jetë, spekulimet që mund të shkojë në PSG janë rritur edhe më shumë me reagimin e Neymar Junior.

Në një intervistë për ‘GQ France”, Neymar hodhi “benzinë në zjarr” duke shprehur dëshirën që të ndajë dhomën e zhveshjes, por edhe fushën me Ronaldon.

“Unë dua të luaj me Cristiano Ronaldon, kam luajtur tashmë me lojtarë të tjerë të shkëlqyer si Messi dhe Mbappé, por nuk kam luajtur ende me Cristianon”, u shpreh Neymar, që sapo ka rinovuar kontratën me PSG-në.

Parisi lidhet me CR7 që një kohë të gjatë dhe në rast se dështon blerja e Lionel Messit, nuk përjashtohet që 36-vjeçari të shijojë edhe Ligue 1.