Nis bashkëpunimi mes Metrologjisë së Kosovës e Maqedonisë në funksion të lëvizjes së lirë të mallrave

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës, Ferki Fejza zhvilloi një vizitë zyrtare në Zyrën e Metrologjisë së Maqedonisë, ku u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e kësaj zyreje Merita Mustafi.

Gjatë këtij takimi u diskutua mundësia e bashkëpunimit mes dy institucioneve të vendeve përkatëse, për shkëmbim përvojash dhe vizita studimore dhe forma tjera të bashkëpunimit.
Gjatë këtij takimi, drejtori i Fejza, paraqiti nevojën e një bashkëpunimi në fushën e metrologjisë, jo vetëm më Maqedoninë por edhe me vendet tjera të rajonit, në mënyrë që të tejkalohen pengesat që paraqiten për kompanitë në lëvizjen e lirë të mallrave, si rezultat i mos njohjes së certifikatave. Gjithashtu u fol për mundësinë e harmonizimit të procedurave, tarifave, marrëveshjet bilaterale dhe multilaterale për mënjanimin e këtyre barrierave jo tarifore në lëvizjen e lirë të mallrave mes dy vendeve.

“Fejza po ashtu propozoi që të shikohet mundësia që mos të duplifikohen etalonët primar në vendet tona dhe në bazën e një marrëveshje mes autoriteteve, të rregullohet kjo çështje, që do ti hapte rrugë mundësive më të mëdha për zhvillim të kapaciteteve të agjencive përkatëse, dhe bashkëpunimit mes tyre”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie.

Kjo ishte vizita e parë në këtë nivel mes autoriteteve të Kosovës dhe Maqedonisë, dhe nga të dyja palët u pajtuan që në pjesën e parë të vitit 2019 të nënshkruhet një marrëveshje mes dy autoriteteve, si një hap i parë në krijimin dhe ngritjen e një bashkëpunimi në fushën e metrologjisë, e që ka rëndësi të madhe për lehtësitë për biznese në funksion të lëvizjes së lirë të mallrave.