Nuk ndalen kallëzimet penale ndaj Naim Ternavës: Tani po akuzohet për rastin e ngacmimeve seksual në medrese

Teologu dhe profesori Emin Behrami ka vazhduar të konfrontohet me myftiun e BIK-ut, Naim Tërnaven, kësaj radhe ai thotë se Tërnava ka akuzuar të gjithë profesorët pa përjashtim të Medresesë “Alaudin” për ngacmimet seksuale që u janë bërë nxënëseve të kësaj shkolle.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Tërnava ka fuqinë e pakufizuar financiare si dhe pozitën e tij të myftiut e ka uzurpuar tash e tri dekada pas falsifikimit të Kushtetutës së BIK-ut.

“Kryetari Naim Tërnava arriti që me propagandën e tij të fuqishme të diktojë rrejshëm se unë, prof. Emin Behrami, kam “shpifur” ndaj dy profesorëve të Medresesë për ngacmime seksuale me nxënëset e saj, duke qenë e vërteta ndryshe”, ka shkruar Behrami.

Behrami në profilin e tij në Facebook ka bërë publike edhe disa dokumente të kallëzimit penal kundër Tërnavës.

“Mirëpo injorimi i skajshëm ndaj meje nga ai dhe suita e tij për të më mposhtur rezistencën time ndaj marifetllëqeve të ndryshme të tyre, më kanë shtyrë që kurrë të mos dorëzohem para veprimeve e sjelljeve të tyre të turpshme, pavarësisht sfidave me të cilat do të përballem”, ka vazhduar ai.

Profesori thotë se faji i tij i vetëm ishte mos gjunjëzimi para Myftiut dhe para veprimeve të tij joligjore e jomorale.

“Vazhdimisht e kam mbrojtur dinjitetin tim, të nxënësve, të studentëve dhe të punëtorëve, autoritetin e Medresesë dhe të Bashkësisë Islame të Kosovës në përgjithësi, përçka vazhdimisht jam ndjekur e dënuar, në forma dhe mënyra të ndryshme, porse pa u luhatur nga qëndrimi im parimor. E vërteta kërkon sakrifica, ushtarë trima e të zellshëm. Vazhdon”, ka përfunduar Behrami./gazetametro.net