“O rrenc, mashtrues…”:Përplasen Molliqaj dhe Gashi për Deharin

Avokati Tomë Gashi dhe kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, janë përplasur rreth vdekjes së ish-aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Molliqaj ka deklaruar se kur janë arrestuar aktivistët e VV-së për terrorizëm, asnjë zyrtar i lartë i Vetëvendosjes nuk ka pasur guxim t’i vizitojë.

“Janë fshehur nëpër skuta se mos ndonjë ndërkombëtar po i arreston. Më vonë Vetëvendosje ka përfituar nga ky rast… Çka keni bo për Astrit Deharin prej që jeni ardhë në pushtet, nuk ua falim këtë veprim sepse e keni keqpërdor”, ka thënë Molliqaj.

Pas kësaj ka reaguar avokati Gashi, i cili ka thënë se Molliqaj përmendet edhe për vdekjen e Astrit Deharit, duke thënë se nuk përmendet për mirë.

Ndërsa Molliqaj e ka quajtur Gashin mashtrues, duke thënë se gjithmonë në vizita tek Dehari ka shkuar me gruan e Astrit Deharit dhe prindërit e tij.

“O rrenc, kam qenë në vizitë me gruan dhe prindërit e tij. A mundesh me pranu që nuk i ke ti letrat me kë kam qenë në vizitë. Unë po ju ftoj tash publikisht me shku në zyrën tënde në dosjen e Astrit Deharit nëse nuk është raporti me kë kam qenë në vizitë, unë tërhiqem nga politika por a tërhiqesh edhe ti nga profesioni yt?”, ka deklaruar Molliqaj.

Molliqaj ka thënë se Vetëvendosje e ka keqpërdorur rastin e Astrit Deharit, por me të ardhur dy herë në pushtet nuk e kanë përmendur asnjëherë, duke mos bërë asnjë veprim për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së tij.

Ai ka thënë se asnjë zyrtar i Vetëvendosjes nuk ka pasur guximin të vizitojë aktivistët e burgosur për terrorizëm.