Opozita reagon për shkëputjen e raporteve të udhëheqësve të FSK-së me SHBA-të

Në takime të nivelit të lartë në SHBA, ku po diskutohet për punën dhe të ardhmen e FSK-së, këtë institucion po e përfaqëson zëvendësministri Burim Ramadani.

Bashkë me Ramadanin është edhe komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, por në Prishtinë kanë mbetur ministri Rrustem Berisha dhe zëvendësi i tij, Agim Çeku, raporton KTV.

Siç ka raportuar ‘Koha Ditore’, SHBA-ja ka shkëputur raportet me Berishën dhe Çekun, pas ngritjes së aktakuzës në rastin e “Veteranëve të rremë”.

Përderisa ministri dhe zëvendësi i tij kanë heshtur, në përgjigjen që Ambasada i ka dhënë gazetës, nuk është mohuar ndërprerja e komunikimit, por ka thënë se partneriteti me FSK-në nuk kufizohet me pjesëmarrjen a praninë e ndonjë individi të veçantë.

Por, anëtarë të opozitës nga Komisioni për Mbikëqyrjen e FSK-së e konsiderojnë shqetësues një lajm të tillë, për fazën në të cilën ndodhet Forca e Sigurisë.

Xhelal Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje përmend se Berisha e Çeku nuk janë të vetmit zyrtarë të lartë me aktakuza e që ndikon në raportet normale me partnerë.

Sveçla dhe Ismet Beqiri i LDK-së janë shprehur se për këtë çështje do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të Komisionit, që pritet të mbahet në javën e ardhshme.

Përndryshe, aktakuza për rastin e “Veteranëve të rremë”, ku Berisha e Çeku janë të akuzuar bashkë me 10 persona të tjerë, në mesjavë iu kthye Prokurorisë Speciale nga Gjykata Themelore e Prishtinës për plotësim dhe qartësim