Osmani takohet me Abbott: Orientimi afatgjatë strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Prishtinë Nicholas Abbott, i cili e ka uruar për detyrën dhe ka shprehur pritjen që stabiliteti institucional do të mundësojë zbatimin e reformave në fusha të ndryshme.

Osmani ka diskutuar me ambasadorin britanik për angazhimin e institucioneve të Kosovës për të realizuar prioritetin kyç në menaxhimin e pandeminë COVID-19, lidhur me sigurimin e vaksinës për të gjithë qytetarët e vendit.

Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë për të intensifikuar raportet e Kosovës me Britaninë e Madhe në fushën e shkëmbimeve tregtare si dhe bashkëpunimit në çështjet e sigurisë, mbrojtjes, kulturës dhe arsimit.

Ndërsa, ambasadori Abbott ka konfirmuar përkushtimin e Britanisë së Madhe për përkrahje të mëtejme duke shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit në fushën e fuqizimit të kapitalit njerëzor si arsimi, kultura dhe siguri.

Në takim u bisedua edhe për vazhdimin e mbështetjes së Britanisë së Madhe në procesin e rekrutimit të pozitave udhëheqëse në institucionet publike për të siguruar transparencë dhe emërime të bazuar në profesionalizëm dhe integritet.

Osmani ka falënderuar ambasadorin britanik për përkrahjen, të cilën shteti britanik ka ofruar për Kosovën ndër vite dhe ka theksuar se orientimi afatgjatë strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO.