Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Kanada për të marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax. Atje ajo ka takuar ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Mélanie Joly.
Siç njofton Presidenca, në takim është diskutuar për “situatën e sigurisë në Kosovë e rajon, mbështetjen kanadeze për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës”.
Ndër të tjera, Osmani dhe Joly diskutuan edhe “për thellimin e partneritetit tanë strategjik në një sërë fushash të interesit të përbashkët”.
Presidenca ka njoftuar dje për këtë vizitë pune të Osmanit drejt Kanadasë ku ajo do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax.
“Në këtë Forum, Presidentja Osmani, do ta ketë një adresim në panelin e nivelit të lartë me temë: Epoka e optimizmit – tani varet nga ne”, u tha në njoftim.
Ndërkaq, në këtë forum nga Kosova do të marrin pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari.