Pagoi mijëra euro fajde për një vit, fajdexhia del person i njohur për Policinë

Dukuria e huazimit të parave në mënyrë ilegale apo si njihen me termin fajde, mbetet mjaft shqetësuese në Kosovë. Kjo dukuri theksohet se po sjell pasoja të mëdha për shoqërinë në përgjithësi.

E një rast i tillë është denoncuar edhe në Policinë e Kosovs, ku një person nga Suhareka ka raportuar se nga viti 2019 deri më tash, pra pothuajse një vit, i kishte paguar në mënyrë joproporcionale rreth 3500 euro një personit të dyshuar.

Burime të Sinjalit brenda PK-së bëjnë me dije se personi i dyshuar është i njohur për Policinë e Kosovës.

Veprimet e tilla kriminale, siç është fajdeja, ndëshkohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij Kodi, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë.