Pamje të reja të Kadri Veselit duke hyrë në Spitalin e Mitrovicës

Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, po qëndron në Kosovë, pasi është liruar për vizitë nga Gjykata e Hagës ku po mbahet në paraburgim si i dyshuar për krime të luftës.

Në pamjet e publikuara nga Klan Kosova, shihet se Veseli para pak minutash, ka shkuar për të vizituar babain e tij i cili ndodhet në spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri” për trajtim.

EULEX dhe Policia e Kosovës janë duke i asistuar zyrtarët e Dhomave të Gjykatës Speciale të cilët po e shoqërojnë Veselin.

Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara ka konfirmuar për Reporterin se Veseli është liruar për arsye familjare, por ka thënë se ai mbetet në paraburgim.

“Për arsye personale Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka udhëzuar zyrën e regjistrimit të menaxhojë një vizitë kujdestare për [Kadri Veselin] në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuar në këtë vizitë”, ka deklaruar Griep për Reporteri.net.

Ndryshe, gjendja shëndetësore e babait të ish-kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, është e rëndë, kanë bërë të ditur nga Spitali i Mitrovicës. Ai po trajtohet në Repartin e Neurologjisë në Spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”.