Paralajmëron Ramadani: Presim të rritet shkalla e infektimit me koronavirus

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, Naser Ramadani, ka paralajmëruar se shkalla e infektimit me koronavirus në Kosovë ende nuk ka arritur kulmin e saj.

Siç thekson ai, pritet që numri i të infektuarve me Covid-19 në vendin tonë të rritet, të arrijë kulmin e më pas të bjerë.

“Presim të rritet shkalla e infektimit, të arrijë kulmin dhe pastaj të bjerë. Ne jemi tek në hyrje, prandaj kërkojmë durim nga qytetarët, të mos dalin dhe të mos rrinë grumbull”, ka thënë Ramadani për Klan Kosova.

Ramadani tutje ka thënë se janë 94 persona të konfirmuar me COVID-19, që nënkupton se nuk ka raste të reja deri në këtë moment, mirëpo jemi duke e kaluar çdo fazë të kësaj epidemie.

“Ne po futemi në epidemi, në çdo fazë jemi në epidemi. E kemi pasë fazën përgatitore më 1 janar, më pas kemi nisur përgatitje kur disa vende botërore kanë shpallë gjendje emergjente. Jemi në etapën e tretë dhe po përpiqemi që ta mbajmë situatën nën kontroll”.

“Bashkëpunimi me qytetarë është mëse i domosdoshëm për mospërhapjen e virusit. Duke mos dalë nuk do të kemi epidemi. Të gjitha elementet që i përkasin një epidemie i kemi prit, nga resurset humane, çështjet e zbatimit në terren. Ka disa grupe që ende mbajnë tubime, syneti dhe dasma, kjo vetëm e mbingarkon situatën epidemiologjike në Kosovë”, ka përfunduar Ramadani.