Pas akuzave të kryeshefit të shkarkuar të Trepçës, reagon ministria: Shkarkimi i kryeshefit Ibrahimi vendim i pavarur i bordit

Pas shkarkimit të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike Trepça, Basri Ibrahmi, ka pasur reagime të shumta duke përfshirë edhe vet Ibrahimin, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Në një prononcim për media ish kryeshefi Ibrahimi ka akuzuar ministrinë përkatëse, MEPTINIS, se ka porositur shkarkimin e tij dhe ka vonuar qëllimshëm dhënien e subvencioneve që janë dhënë me ligjin për buxhet.

Por i mënjëhershëm ka qenë reagimi i ministrisë ku thuhet se deklaratat e Ibrahimit janë të pavërteta dhe se vendimi për shkarkimin e tij ka qenë vendim i pavarur i Bordit të Përkohshëm dhe se kjo ministri është njoftuar për vendimin tek pas marrjes së tij.

Ministria akuzon ndërmarrjen se ka keqmenaxhuar subvencionet më parë, ku me paratë e dhëna për të shlyer borxhet e rrymës, në dhjetor 2019, janë bërë pagesa tjera.

Në këtë njoftim MEPTINIS njofton se në mars të këtij viti ka ndarë subvencione për rrogat e punëtorëve të Trepçës, por që menaxhmenti ka shënuar gabimisht numrin e xhirollogarisë duke shkaktuar vonesa në bartjen e mjeteve.

Ndërkohë dje Gazeta Online Veriu.info përmes sigurimit të vendimit për shkarkim raportoi ekskluzivisht për vendimin e Bordit të Përkohshëm të ndërmarrjes Trepça.

Komunikata e plotë e MEPTINIS:

Dje nga mediat dhe pastaj nga vetë ndërmarrja publike “Trepça” ShA, MEPTINIS është njoftuar se Bordi i përkohshëm mbikëqyrës ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv Basri Ibrahimin. Dorëheqja e tij ka qenë kërkese e këshillit grevist të minatorëve, që janë hedhur në grevë për shkak të vonesës së pagave.

Por, në prononcimin e tij për media, z. Ibrahimi paska akuzuar Ministrinë se ka porositur shkarkimin e tij dhe ka vonuar qëllimisht dhënien e subvencioneve, që janë ndarë me ligjin për buxhetin. Deklarata e tij është e pavërtetë.

Ministria në fakt e ka trajtuar ndërmarrjen Trepça SH.A me përparësi, duke e vë para ndërmarrjeve të tjera publike, për shkak të ndjeshmërisë ndaj minatorëve.

Para se të jepen subvencionet, ndërmarrja duhet t’i paraqesë Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, pranë Ministrisë, të dhënat për projektet dhe operacionet, që do të mbështeten me subvencione. Z. Ibrahimi i ka dorëzuar të dhënat me vonesë. Përkundër kësaj vonese, Njësia për NP ka finalizuar brenda ditës draftin e marrëveshjes për Trepçën. Ministrja Rozeta Hajdari e ka nënshkruar atë menjëherë dhe ka udhëzuar zyrtarët e Ministrisë të bartin mjetet në llogari të ndërmarrjes. Mirëpo zyrtarët financiarë kanë hasur në pengesa shkaku i mangësive në dokumentacion.

Menaxhmenti i ndërmarrjes nuk ka raportuar siç kërkohet për subvencionet e mëparshme, për të siguruar se mjetet janë ndarë sipas marrëveshjes dhe pa diskriminim – si për minatorët në Leposaviq, ashtu për minatorët në Stantërg e në Artanë. Kjo situatë ka detyruar zyrtarët të hetojnë çështjen në hollësi, por nuk ka shkaktuar vonesa të tilla sa për t’u bërë shkas i pakënaqësisë së minatorëve.

Rikujtojmë se ndërmarrja ka keqmenaxhuar subvencionet më parë, ku me paratë e dhëna për rrymë, në dhjetor të vitit 2019, janë shlyer borxhe të tjera. Në mars të 2020-tës, ndërmarrjes i janë dhënë subvencione shtesë për rrogat e minatorëve, ndërsa menaxhmenti ka shënuar gabimisht numrin e xhirollogarisë së ndërmarrjes, duke shkaktuar vonesë në bartjen e mjeteve. Në paraqitjen e kërkesës për subvencione, menaxhmenti ka ngatërruar operatorët e energjisë KEK dhe KEDS,
duke krijuar përshtypje të gabuar për detyrimet ndaj këtyre operatorëve.

Jo-profesionalizmi në komunikim gjatë përgatitjes së marrëveshjes së re për subvencione është vazhdimësi e shkeljeve dhe gabimeve të së kaluarës. Kurse vendimi i bordit të përkohshëm mbikëqyrës është vendim i pavarur, për të cilin Ministria është njoftuar tek pas marrjes së tij.