Pas raportimeve për zyrtarë me aktakuza, ministri Mustafa merr masa

Ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa, ka thënë se ka kërkuar informata rreth dy zyrtarëve të ministrisë së tij menjëherë pas raportimeve se ata kanë abuzuar me milionë euro.

Sic njofton Ministria e Bujqësisë, se Mustafa ka marrë informata nga Prokuroria e Shtetit në lidhje me zyrtarët.

“Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, sqaron opinionin publik, pas raportimeve të gazetës së përditshme “Koha Ditore”, në shkrimin me titullin “Ministri Mustafa mban jashtëligjshëm në detyrë të dyshuar për abuzim me miliona euro”, të botuar sot ( e martë), datë 11.02.2020. Lidhur me rastin e raportuar në këtë gazetë, ministri Mustafa ka kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Duke përmendur se është dita e tij e pestë të krye të kësaj ministrie ka kërkuar nga Zyra Ligjore e Ministrisë që ta trajtojë me urgjencë këtë cështje.

“Sot, në ditën time të pestë të punës, lidhur me rastin e raportuar në medie rreth një numri të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ndaj të cilëve raportohet se është ngritur aktakuzë.

Menjëherë kam kërkuar nga Prokuroria e Shtetit informacion për të konfirmuar zyrtarisht nëse zyrtarëve në fjalë u është ngritur aktakuzë.

Njëkohësisht, i kam kërkuar Departamentit Ligjor të Ministrisë që kjo çështje të trajtohet me urgjencë, me përpikëri dhe në pajtueshmëri të plotë me legjislacionin në fuqi”, ka thënë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa.