Pesë zëvendësime për ndeshje, klubet janë të përçara për rregullin e ri

FIFA ka dhënë miratimin që të mund të përdoren 5 zëvendësime në tre momente të ndryshme gjatë një ndeshjeje, për “maratonën verore” të mbylljes së sezonit 2019-2020, ndërsa tani mbetet që federatat e çdo vendi të vendosin nëse do ta aplikojnë këtë rregull të ri apo jo.

Megjithatë në Itali ka nisur menjëherë debati për këtë çështje, pasi klubet e mëdha e kanë mirëpritur këtë ide, duke qenë se do të kenë mundësi të menaxhojnë më mirë lodhjen te futbollistët, gjatë një periudhe me ndeshje intensive dhe temperatura të larta.

Por kryesisht klubet e gjysmës së dytë të renditjes kanë dalë menjëherë kundër kësaj ideje, sepse sipas analistëve, 45 zëvendësimet në një ndeshje do të favorizojnë ndjeshëm klubet që kanë organika të pasura.

Kështu skuadra si Interi, Juventusi apo Roma, do të mund të freskonin formacionin me 5 zëvendësime, pa humbur aspak në cilësi, por klube të tjera, që nuk kanë të njëjtën cilësi në stol, do të humbnin shumë nëse do të kryenin 5 zëvendësime.

“Nuk mund të ndryshohen rregullat në mes të sezonit, ndaj duhet të vijojmë me 3 zëvendësime për ndeshje. Rregulli i 5 zëvendësimeve favorizon klubet e mëdha, që kanë dy formacione. Klube si Interi e Juventusi kanë nga dy formacione në dispozicion dhe do ju bënte punë një freskim i ekipit në pjesën e dytë, ndërsa ne të tjerët nuk e kemi luksin të ulim në stol lojtarët e formacionit të parë, pasi nuk kemi të njëjtën cilësi në pankinë”, deklaroi drejtuesi i Fiorentinës, Joe Barone.

Situata është e njëjtë edhe në kampionate të tjera, si ai anglez e spanjoll, ku ka shumë klube që janë shprehur kundër idesë së 5 zëvendësime për ndeshje, ndaj pritet me interes se si do të sillen ligat përkatëse të këtyre shteteve.