“Po flet i emocionuar”, Arrestimi i Haki Rugovës përplas VV’në dhe LDK’në në Kuvend

Arrestimi i nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugova, që njëherit është edhe kryetar i Istogut, ka shkaktuar përplasje në seancën e sotme të Kuvendit mes VV-së dhe LDK-së.

Ishte deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ai që nisi debatin duke akuzuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa se po ndërhynë në drejtësi me deklaratat e tij për arrestimin e Rugovës, shkruan lajmi.net.

Madje sipas tij, këto deklarata janë shumë të rrezikshme. Ai madje hodhi paralele mes kësaj situate dhe asaj që ishte në kohën e ish-Jugosllavisë.

Në këtë kontekst, ai akuzoi LDK-në për siç e quajti kapjen e shtetit dhe veprime kriminale të disa zyrtarëve të saj.

Mirëpo i shpejtë ishte reagimi nga partia e Mustafës. Shefi i Grupit Parlamentar, Arben Gashi, tha se Bajqinovci po flet i emocionuar, me mllef, dhe motive politike për të fituar vota.

“Mu duk që parafolësi ishte pak si i emocionuar, por gjithsesi institucionet e drejtësisë janë të pavarura, prandaj mendoj që instrumentalizimi politik është i paarsyeshëm. Ajo që ne duhet të them është se sundimi i ligjit nuk ka alternativë. Ne duhet të angazhohemi që ky shtet të funksionojë, dhe jo një shtet i dhunës grupale i nxitur nga interesat klanore. Jo tendenca për të përfituar ndonjë votë duke abuzuar me moshën pa asnjë etikë, me përkatësinë politike pa asnjë arsyetim”, tha ai.

Ai tha se partia e tij do të jetë gjithmonë në përkrahje të sundimit të ligjit.

“Këtu jemi në Kuvendin e Kosovës, të zgjedhurit e popullit për të mbikëqyrut institucionet, për të nxjerrë ligje. Parafolësi kishte një mllef të paarsyetuar dhe një mllef. Gjuha ka rëndësi, sepse siç thotë populli asht nuk është por eshtre thyen. Ajo duhet të përdoret mbi bazën e një argumenti. Po shoh në komunën e Prizrenit që po ka probleme me sundimin e ligjit, dëshiroj që kjo të mos jetë betejë politike. Kushdo që e ka shkel ligjin do të jap përgjegjësi vet”, tha ai.

Kuvendi ndërkaq ka filluar me punimet e seancës së re, dhe aktualisht është në pikën e deklarimeve jashtë rendit të ditës