Policia lejon Lëvizjen Vetëvendosje të mbajë provën e dytë për protestë, ku pritet të mblidhen deri pesë mijë persona

Policia e Kosovës do të lejon Lëvizjen Vetëvendosje që nesër të mbajë provën e dytë të përgatitjes për protestë.

Këtë e kanë bërë të ditu zyra e mediave në Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës e njeh të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, protesta e manifestime publike në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Legjislacioni në fuqi përcakton se çdo tubim publik duhet të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë ligjor, siç është lajmëruar edhe kjo performancë/tubim”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Telegrafin.

Policia e Kosovës thekson se do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës.

“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia e Kosovës do të ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe vendimeve të institucioneve kompetente për menaxhimin e situatës në këtë kohë të pandemisë COVID-19, për të garantuar rendin dhe qetësinë publike, shëndetit publik, si dhe për të respektuar vendimet, masat dhe kufizimet e parapara ndaj pandemisë”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka thënë për Telegrafin se në provën e dytë planifikojnë të jenë nga 3 mijë e 500 deri në 5 mijë persona.

LVV provën e parë e ka realizuar para disa ditëve, ku kishin marrë pjesë afro 500 qytetarë të cilët kishin maska dhe dorëza.