Presidenti Thaçi tregon si do të themelohet Asociacioni

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë konferencës së sotme ka falënderuar të gjitha institucionet e sigurisë për parandalimin e incidenteve dhe situatave të cilat do të ishin mesazh i keq i Kosovës në botë.

Thaçi ka thënë se Kosova do t’i përmbushë të gjitha marrëveshjet e Brukselit duke përfshirë edhe Asociacionin por me respektimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Duket që debatet publike dhe politike për çështjet shtetërore po bëhen gjithnjë më dinamike dhe produktive. Tema kryesore natyrisht mbetet dialogu dhe mundësitë për arritjen e një marrëveshjeje”, ka thënë Thaçi.

Tutje, presidenti ka shtuar se procesi i dialogut është një proces i vështirë por i domosdoshëm për integrimin e Kosovës në BE.

“Mundësitë për arritjen e një marrëveshje janë minimale, mirëpo ne duhet të bëjmë përpjekje maksimale për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Dialogu ka vetëm një qëllim, që përfshin marrëveshjen dhe njohjen reciproke”, ka theksuar Thaçi./lajmi.net/Veriu.info