Raportimi i VOX Kosova për veprime ilegale dhe presione të hatashme në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale në kuadër të Ministrisë së Kulturës, ka bërë që Prokuroria të fillojë hetimet. Në një përgjigje për VOX Kosova, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar fillimin e ndërmarrjes së veprimeve hetimore.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore lidhur me çështjen në fjalë. Për çdo zhvillim të ri ju njoftojmë me kohë”, thanë nga Prokuroria për VOX Kosova.
Çka raportoi VOX Kosova?
Fillimisht, Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte emëruar jashtëligjshëm Imer Hakajn si ushtrues detyre të drejtorit në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil konstatonte tri shkelje që Çeku kishte bërë aty. Konkretisht, ai kishte injoruar dy pozita të lira brenda Agjencisë duke e katapultuar Imer Hakajn nga Inspektorati për Trashëgimi Kulturore.
Ky ishte vendim obligativ, andaj ministri u detyrua ta shkarkonte Hakajn. Por Çeku s’e la me kaq dhe në formë krejtësisht të paprecedentë e ktheu Hakajn aty ku ishte.
Për ta plotësuar kinse normën juridike të kërkuar, Hakaj fillimisht më 21 nëntor u shkarkua, pastaj paraditen e 25 nëntorit u transferua në Departamentin për Planifikim, Projekte dhe Menaxhim të Komplekseve Memoriale e pasdite me vendim të Çekut u kthye si ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv në Agjenci.
Për t’u realizuar ky plan, u ushtrua presion i hatashëm mbi zyrtaren përgjegjëse.
Kjo ngase Departamenti ku fillimisht Hakaj u transferua, ishte jo-funksional që disa vjet e s’kishte as buxhet të ndarë për të. Pra krejt procesi ishte farsë dhe kundrligjor. Zyrtarja në fjalë, pasi nënshkroi transferimin, hoqi firmën e saj dhe rrëfeu të gjithë ngjarjen përmes një email-i që ka siguruar VOX Kosova.
“Ju njoftoj që kërkesa është nënshkruar nga unë në pozitën e Menaxheres së Personelti, drafti i kërkesës i hartuar më ka ardh nga z. Imer Hakaj, kam qenë nën presion të tij për ta nënshkruar”, thuhet në email-in e saj drejtuar disa zyrtarëve tjerë të Ministrisë.
Në gjendje të rënduar emocionale, e njëjta u shfaq kur dha përgjigje për çështjen në fjalë.
“Edhe ky më ka thanë… unë tash e kam pasë frikën që nëse nuk ja nënshkruaj këtë dokument, ky ka dashtë me gjetë një mënyrë me ardhë prapë drejtor edhe e di që puna e parë që ish ardhë, nëse unë s’ja kisha nënshkru, më kish qitë në Komision Disiplinor, kish marrë vendime ndaj meje që nuk janë… ose gjithçka është e mundshme”, rrëfen ajo.
“Edhe më ka ba presion për me ja nënshkru, edhe e kam pasë prej momentin kur u ardhë në punë. Prej 2023-ës kur u ardhë ky në punë unë kam pasë presion prej tina. Pa kurgjo hiç. Pa më njoftë, pa e ditë. Javën e parë që ka ardhë, ky më ka ba presion edhe më ka ofendu para zyrtarëve tjerë”, shton.
“Po, po… Nuk po muj se jam shumë… prej kur ka ndodhë ajo ditë që kam nënshkru edhe deri sot unë nuk jam e qetë edhe nuk jam kurrkah. Se unë s’jam kanë problem kurrë për kërkan. Për mu nuk u kanë e rëndësishme kush vjen drejtor”, rrëfen ajo.
Presionet ndaj punëtorëve ndërkaq i mohon Hakaj. Ai tha se po tenton që punën e tij ta kryejë me nderë.
“Unë po të betohna ty edhe çdocilit organ në vend, edhe gazetarisë edhe çdo… në jetën teme kujt presion s’i kam ba. Keni me e marrë vesh në fund sepse është një person që i bart këto dhe unë jam tu u munu me e kry punën teme me nder. Nuk jam ai personi zyrtar që ushtroj veprime dhe presione. Do të dalin në shesh të gjitha veprimet e organeve dhe krejt, sepse po të betohna se nuk jam ai presioni që ushtroj”, thotë Hakaj.














