Prokuroria pas publikimit të përgjimeve nga Shqip.com: Aktualisht, nuk e dimë se çka ka ndodhur

Pas publikimit të përgjimeve nga Gazeta Shqip.com lidhur me përfshirjen e prokurores së krimeve të rënda në Prishtinë, Shemsije Asllani, në një rast ku ka ushtruar ndikimin e saj dhe duke keqpërdorur pozitën që mban në këtë institucion, janë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Ndonëse përgjimet janë publikuar qysh në orën 10:00 të mëngjesit të së premtes, zëdhënësja Laureta Ulaj, thotë se ende nuk kanë informacion se çfarë ka ndodhur me këtë rast.

Të pyetur nëse është iniciuar ndonjë procedurë deri më tash, Ulaj thotë se sapo të ketë ndonjë veprim, Prokuroria do ta bëjë të ditur.

“Nuk kam informata aktualisht lidhur me këtë çështje, nuk jam e njoftuar nëse është ndërmarrë ndonjë veprim në momentin që kemi diçka ju njoftojmë, por aktualisht nuk kemi informata se çfarë ka ndodhur me këtë rast”, ka thënë ajo.

Në përgjimet e bëra publike sot nga Shqip.com, përmenden emra të njohur të sistemit të drejtësisë, e madje edhe udhëheqës të lartë të këtij institucioni. Asllani u shfaq duke folur epër ushtrim të ndikimit në zyrtarë të tjerë duke përfshirë edhe të tillë nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI), e madje edhe ndihma e saj e dhënë ndaj një personi për t’u bërë gjyqtar.

Shqip.com do të vazhdojë publikimin e përgjimeve të tjera në ditët dhe javët në vazhdim.