Pse Lista serbe ndërpreu komunikimin me presidentin Thaçi?

Drejtuesit e Listës serbe kanë deklaruar së fundi se kanë ngrirë çdo formë të komunikimit me Presidentin e vendit Hashim Thaçi. Ky vendim u bë i ditur përmes një letre drejtuar të parit të vendit për shkak se siç thonë ata, politika e këtij të fundit është kundër kushtetuese, jo e drejtë dhe e dëmshme për popullin serb.
Kjo deklaratë ka treguar zbehjen dhe pakësimin e ndikimit të Listës serbe në Kosovë.

Deputeti nga LVV-ja, Adem Mikullovci për InfoPress ka thënë se Lista Serbe tash ka filluar të tregojë se është dora e zgjatur e Serbisë dhe se gjithnjë e më shumë do të ketë kushtëzime në çdo aspekt.
“Ka fillu të tregojë fytyrën e vërtetë që është dora e zgjatur e Serbisë, që qeveria e Ramushit ka filluar ta tregojë të vërtetën dhe i ka treguar dhëmbët e vet për këtë ata do të kenë kushtëzime gjithnjë e me shumë, dhe së shpejti do të flitet për formimin e ushtrisë, ku ata nuk duan të marrin pjesë dhe kanë filluar ti acarojnë punët dhe kjo ka qenë e pritur”, ka thënë Mikullovci.

Ndërkaq, deputeti nga PDK, Agim Aliu në një prononcim për InfoPress ka thënë se shumica shqiptare është ajo që ka vendosur gjithmonë për politikat në Kosovë.
”Gjithçka që është bërë në Kosovë është përcaktuar nga shumica shqiptare, mirëpo ne në Kosovë e kemi obligim kushtetutës që të respektojmë komunitetet dhe të vazhdojmë të bashkëpunojmë në të mirë të Republikës së Kosovës”, ka thënë Aliu .

Ndërsa, analisti politik Haki Abazi veprimet e Listës Serbe i ka quajtur si të pritura.
“Veprimet e Listës Serbe nuk janë të papritura. Formimi i saj është bërë me qëllim të pëlqimit dhe orkestrimit dhe presionit ndaj institucioneve dhe për të krijuar situata konflikti. Ky është edhe qëllimi i presionit që ata po ushtrojnë për presidencën. Në fakt është vështirë e kuptueshme se pse në këtë moment ka ardhur deri te një distancim kur presidenti nuk ka bërë ndonjë gjë për të treguar mos respekt për Listën Srpska apo minoritetin serb në Kosovë. Përkundrazi procesi është përcjell me lëshime dhe kompromise të dobishme që në fakt Kosova po mbahet peng që sa vite nga një grusht politikanesh që fillimisht sabotuan në veri dhe tani janë futur në institucionet e vendit dhe po ushtrojnë rolin e tyre negativ në parandalimin e progresit në vend”, theksoi Abazi.