Qeveria thotë se Deklarata e përbashkët e Samitit në Tiranë u tërhoq nga vet shteti nikoqir

Zëdhënësja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Rozafa Kelmendi ka demantuar lajmet e medieve serbe, të cilat raportuan sot se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte refuzuar të nënshkruante deklaratën e përbashkët gjatë Samitit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, në takimin e mbajtur në Tiranë, transmeton Sinjali.

Kelmendi ka thënë se kjo deklaratë ishte tërhequr nga vet nikoqiri i takimit.

Ajo u shpreh se arsye e tërheqjes së deklaratës janë dallimet e mëdha që janë vërejtur mes Kosovës e Serbisë.

“Lajmi për refuzimin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është i pavërtetë. Deklarata është tërhequr nga vetë nikoqiri i takimit, pasi është vërejtur që ka dallime të mëdha mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Kelmendi për Telegrafin.

Ndryshe, mediet në Serbi raportuan sot se ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ai që refuzoi nënshkrimin e deklaratës së përbashkët, kjo pasi sipas tyre në deklaratë nuk shkruhej “Republika e Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë Samitit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, i cili u mbajt sot në Tiranë, ka propozuar një kornizë të re bashkëpunimi.

Gjatë fjalimit të tij ai ka theksuar se “Për të ecur përpara na duhet një kornizë e re bashkëpunimi, e cila bazohet në vlera të përbashkëta dhe në një zotim për një sërë parimesh thelbësore”.

“Kjo kornizë e re do të quhej Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – ose SEFTA”, tha Kurti ndër të tjera në këtë takim.

Ai u shpreh se “SEFTA do t’i përfshinte vendet e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të barabartë me të drejta të barabarta, bazuar në një marrëdhënie të veçantë me BE-në, të ngjashme me marrëveshjen e Zonës Ekonomike Evropiane (EEA)”.

Fjalimin e tij, ai e ndau në tri pjesë, ku ndër të tjera theksoi se “Refuzimi i Serbisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës është pengesë e vazhdueshme ndaj bashkëpunimit rajonal. Kosova nuk mund të angazhohet në iniciativa që janë të përshtatura për ta mohuar statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur; ne do të angazhohemi vetëm si të barabartë”.