Ramiz Lladrovci në telashe, ky është kundërshtari i fuqishëm brenda partisë që mund ta rrëzojë nga gara

Partitë politike tashmë janë në fazën finale rreth kandidaturave për kryetar të komunave. Partitë, kanë kohë edhe pesë ditë për të vendosur përfundimisht rreth kandidatëve. Partia Demokratike e Kosovës, ende nuk ka vendosur për kandidatin e saj në Drenas.

Në garë janë kryetari aktual, Ramiz Lladrovci dhe ish deputeti Bislim Zogaj.

Ky i fundit thotë se fillimisht ka pasur disa kandidatura nga dega e PDK-së, në këtë qytet për të kandiduar, por këto kandidatura janë tërhequr me kusht qe PDK të përcaktohet për emrin e tij si kandidat për kryetar.

“Fillimisht ka pasur disa kandidatura, por në fund  janë pajtuar qe nëse PDK përcaktohet për emrin tim, ata janë tërhequr dhe do të jenë në mbështetje të kandidaturës time.  Tani ka mbetur kandidatura e kryetarit aktual Lladrovci, i cili pretendon se do të jetë gjithsesi i nominuar. Por, besoj ky vetëbesim i tij nuk do të ketë mbështetje tek struktura e PDK-së, e cila definitivisht është përcaktuar të mos e mbështet Lladrovcin për shkak të veprimeve tij për aq kohë sa e ka menagjuar Drenasin e mbi të gjitha ndërprerjen n e bashkëpunimit apo injorimit të gjithë strukturës se PDK-së, dhe të njëjtën kohë sjellja e tij jo e mirë me qytetarët dhe bizneset”, ka thënë Zogaj për ‘Indeksonline’.

Ai pret reflektim nga kryesia e PDK-së në qendër, e cila sipas tij, është e vetëdijshme për pasojat me kandidimin e Lladrovcit për kryetar.

Zogaj, beson tek kreu i PDK-së, Kadri Veseli të cilin e ka ftuar publikisht të mos e nominoj Lladrovcin për kryetar, pasi thotë se nuk e gëzon mbështetjen e anëtarësisë se PDK-së, në Drenas.

Tutje, Zogaj ka folur për planet e tij nëse kandidohet si kryetar i Drenasit. Me Zogajn kryetar të Drenasit, ai thotë se çështja e infrastrukturës nuk do të jetë temë e diskutimit pas dy viteve qeverisje.

“Prioritet i prioriteteve për momentin është punësimi. Jam i sigurt qe brenda një viti të sjell investitor të jashtëm dhe Drenasi u krijon mundësi investitorëve të huaj për shkak të pozitës se saj strategjike të ketë investime të huaja. Besoj se në mandatin katër vjeçar nuk do të mbetet asnjë qytetarë i komunës se Drenasit i papunë. Në të njëjtën kohë, do t’ia kthej imazhin e mirë PDK-së në këtë komunë”, ka shtuar ai.

Krejt në fund, ai ka bërë me dije se nuk do të largohet nga PDK edhe në rast se nuk nominohet për kryetar të komunës.

“Shpesh herë po flitet se për shkak të pakënaqësive të kandidatëve për mos nonimin të kalojnë në parti tjera. Unë e deklaroj publikisht se jam i gatshëm të punoj për Drenasin, por nëse PDK përcaktohet për Lladrovcin nuk do ta ketë mbështetjen time, por nëse përcaktohet për ndonjë kandidat tjetër do ta ketë mbështetjen time. Do të mbetem në PDK për sa kohë qe të ekzistoj si parti”, ka shtuar ai