Ramush Tahiri tregon vështirësitë e Thaçit në caktimin e mandatarit të Qeverisë

Analisti politik, Ramush Tahiri ka thënë se caktimi i mandatarit të ri të Qeverisë, nuk do të jetë aspak e vështirë për presidentin Hashim Thaçi pasi që, ai është obligim i tij.

Në një prononcim, Tahiri ka thënë se për Thaçin nuk do të jetë e vështirë një gjë e tillë pasi që nuk ka të drejtë të vendosjes, por të përcjelljes së vendimit i cili parashihet me Kushtetutë.

‘Presidenti individualisht nuk ka të drejtë të shikojë se kush është kandidat, por ka të drejt të shikojë a i ka votat e mjaftueshme ai kandidat për t’u zgjedhur në Qeveri. Për Thaçin të caktojë mandatarin e ri të Qeverisë nuk do të jetë aspak e vështirë pasi që ai është obligim i tij dhe Thaçi vetëm e bartë, pasi që nuk ka të drejtë të vendosjes, ka të drejtë të përcjelljes së vendimit i cili është i paraparë me Kushtetutë’, ka thënë ai.

Tahiri sqaron se kuvendi konstituohet brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve, e më pas presidenti duhet të caktojë mandatarin brenda 15 ditëve, kurse mandatari duhet të votohet në Kuvend me afat ditor prej 15 ditëve.

Kujtojmë se ende nuk është arritur marrëveshja për koalicion midis dy partive fituese në zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pasi që siç thuhet Vetëvendosje nuk po pranon kushtin e LDK’së e cila po insiston në postin e Presidentit.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme Presidenti Thaçi ka thirrur mbledhjen e parë të legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës për datën 24 dhjetor.

‘Kryetari dhe Kryesia e Legjislaturës së Gjashtë e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në pajtim me legjislacionin përkatës në fuqi, do të përgatisin propozimin e rendit të ditës për Mbledhjen e Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës’, thuhej në komunikatën e presidencës. /gazetametro.net