Ratko Mlladiq në gjendje të rëndë shëndetësore

I dënuari për krime lufte, Ratko Mlladiq thuhet se ka pasur temperaturë të lartë për një javë dhe gjendja e tij shëndetësore po përkeqësohet.

Kështu kanë pohuar familjarët e Mlladiqit, të cilët kanë thënë se pavarësisht gjendjes shëndetësore, mjekët e burgut nuk po pranojnë ta testojnë për koronavirus.

Djali i kriminelit të luftës, Darko beson se Haga me dashje nuk dëshiron ta testojë dhe se “me vetëdije po e lënë të vdesë”.

“Askush nuk po na thotë nëse virusi ka hyrë në burg, por ne e dimë se babai im ka pasur temperaturë të lartë për një javë. Na është thënë që temperatura është rezultat i një lloj goditjeje nga nxehtësia. Ai është i rraskapitur dhe anemik”, tha ai për mediat serbe.

Ekipi i avokatëve, thotë ai, i ka dërguar kërkesë gjykatës për një ekzaminim të plotë, përfshirë testin për COVID-19, por ata kanë refuzuar ta bëjnë këtë.

“Ai pati një sulm në zemër dhe një ndërlikim pas operacionit të zorrës së trashë. Për më tepër, një seancë për ankesën e gjeneralit po mbahet të hënën. Ne jemi gjithashtu kundër kësaj, por ata nuk po heqin dorë, “tha djali i kriminelit Mlladiq.